Në Angli nuk ka surpriza. Manchester City shpallet kampion i Premier League për sezonin 2021/22 dhe për të 6-tën herë në historinë e klubit. Për ta siguruar titullin, Cityzens, mposhtën në javën e fundit në shtëpi, skuadrën e Aston Villa me rezultatin 3-2, duke e mbyllur edicionin në kuotën e 93 pikëve.
Në fakt, kjo ishte një fitore që erdhi me përmbysje për të besuarit e Pep Guardiolës, të cilët, deri në minutën e 75, po mposhteshin me rezultatin 2-0. Mirëpo, që pas këtij momenti, në harkun kohor të 5 minutave, qytetarët realizuan të 3 gola të shpejtë, duke bërë që në Etihad të shpërthente festa. Nuk ndodhte që prej vitit 2005 që Manchester City ta fitonte një ndeshje, ndërkohë që ndodhej në disavantazhin e dy golave.
Paralelisht, në krahun tjetër, përmbysja e Cityt, solli zhgënjim në Anfield, aty ku Liverpool bëri detyrën ndaj Wolves, duke fituar me rezultatin 3-1. Një kohësisht të besuarit e Klopp dhe e gjithë tifozëria e kuqe, ishin sy e veshë në Etihad, aty ku mund të ndodhte mrekullia, por që në fakt, nuk ndodhi. Kësisoj, The Reds e mbyllën sezonin në vendin e dytë me 92 pikë, pa arritur të riktheheshin dot tek titulli kampion.
Për t’u rikthyer tek City, që prej sezonit 2008/09, ky është titulli i 10 kampion që trajneri Pep Guardiola ka fituar me skuadrat që ka drejtuar. Askush tjetër përgjatë kësaj periudhe nuk ka mundur të fitojë dot kaq shumë sa takticieni spanjoll.