Në Angli çmenden pas Bellingham, por Dortmund kërkon 150 mln euro

Sport

Jude Bellingham është duke kaluar një sezon fantastik në planin personal, teksa numëron 9 gola e 2 asiste në 20 ndeshje të zhvilluara. Mesfushori anglez ia ka dalë të bëj liderin në radhët e Dortmund, ndonëse është vetëm 19 vjeç. Përpos statistikave, personaliteti i treguar nga Bellingham në fushën e blertë ka bërë që rreth tij të interesohen shumë klube të mëdha. Por ndër të vetmet që mund të paguajnë shifrat e larta për kartonin e tij, janë klubet nga vendlinja e Bellingham, Anglia. Manchester City, Liverpool dhe së fundmi Manchester United, kanë shfaqur interes konkret për të firmosur me 19-vjeçarin. Lajmi është konfirmuar nga mediat gjermane, apo edhe burime pranë klubit të Dortmund-it, ku thuhet se ka patur disa takime dhe biseda telefonike, ku skuadrat e interesuara për shërbimet e tij kanë kërkuar informacion rreth mundësisë së transferimit të tij. Dortmund-i nuk ka ndërmend të heqë dorë kollaj nga lojtari. Verdhezinjtë thuhet se pretendojnë të paktën 150 milionë euro për të lënë yllin e skuadrës së tyre lirë, teksa 5% e kësaj vlere do t’i shkojë Birmingham-it, që e pati parashikuar këtë klauzolë në verën e 2020-ës. Bellingham, i cili është moshën 16 vjeçare është lojtari më i ri që ka debutuar dhe ka shënuar me Birmingham, u transferua në Gjermani, tek Dortmund-i, për 25 milionë euro. Sa i përket klubeve angleze që janë interesuar për shërbimet e Bellingham, duket e vështirë që Manchester United t’ia dalë të plotësojë këtë kërkesë të trajnerit Ten Hag, për shkak të bilanceve me UEFA-n. Për City dhe Liverpool, situata është më ndryshe. Edhe pse financat tek ‘cityzens’ janë më të shëndetshme, mundësia që vetë Bellingham te zgjedhë ‘the reds’ është e lartë, për arsye se 19-vjeçari gjithnjë ka pranuar se idhulli i tij, është legjenda e Liverpool-it, Steven Gerrard.