Ndryshimet e rregullore së UEFA për Champions League 2018-2019!

Sport

champions

Kompeticioni europian më spektakolar për klube do të pesojë ndryshime që nga sezoni i ardhshëm. UEFA ka bërë zyrtare ndryshimet në rregulloren e saj sa i përket “Champions League”, duke filluar që nga numri i lojtarëve që do të kenë në dispozicion trajnerët e skuadrave finaliste. Nëse deri më tani, klubet që përballeshin në finale do të kishin nje organikë prej 18 lojtarësh, ku 11 ishin në fushë dhe 7 në stol, që nga sezoni 2018-19, trajnerët në finale do të kenë fleksibilitetin të zgjedhin formacionin e tyre mes 23 lojtarësh. Ky ndryshim sipas UEFA bëhet që klubet të kenë mundësinë e zgjedhjes dhe të luajnë finalen me organikë te plotë dhe me më të mirën e mundshme.

uefa2
Një tjetër ndryshim rrënjësor është edhe zëvendesimi i katërt, i cili mund të aplikohet vetëm nga skuadrat që luajnë në fazën me eleminim direkt, dhe vetëm në rast se ndeshja shkon në kohë shtesë. Ndërsa rregulli i ri për lojtarët që ndryshojnë skuadër gjatë merkatos dimërore, u lejon skuadrave të kenë në listën e fazës me eleminim direkt deri në 3 lojtarë të rinj, pavarësisht nëse futbollistët në fjalë kanë luajtur gjatë pjesës së parë të sezonit me një skuadër tjetër në “Champions League”.
Ndryshimi tjetër ka të bëjë me skuadrat që kanë fituar 3 herë radhazi apo të paktën 5 herë në histori “Europa League”, apo siç quhej dikur “UEFA Cup”. Që nga sezoni i ardhshëm, skuadrat që kanë arritje të tilla do të kenë një stemë dalluese në fanellat e tyre. Për ta ilustruar, në sezonin aktual, Sevilla do të kishte të stampuar në fanellë diçka të tillë, pasi ka triumfuar 5 herë në kompeticionin e vogël europian për klube.

uefa3
Këto rregulla të reja do t’u bashkangjiten atyre të orareve, pasi pak kohë më parë, UEFA konfirmoi se edhe ne “Champions League” do të aplikohet i njëjti sistem oraresh siç ndodh prej vitesh në “Europa League”, ku një pjesë e ndeshjeve zhvillohen në orën 19:00 dhe pjesa tjetër në 21:00. Sipas zyrtarëve të UEFAs, kjo bëhet që tifozët të kenë mundësinë të ndjekin të paktën 2 ndeshje brenda një mbrëmjeje.

 

Molgen Balena

Tring Sport