Eliminimi i PSG në raundin e 1/8-tave të UEFA Champions League, pritet të sjellë shumë ndryshime brenda kampit në fund të sezonit. Një ndër to është shkarkimi nga detyra i trajnerit Mauricio Pochettino. Deri më tani, një ndër emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e gjigantëve të Ligue 1 është Zinedine Zidane.
Mirëpo, përgjatë zhvillimeve të fundit, në skenë është ngjitur një tjetër emër mjaft i dëgjuar i trajningut në dekadën e fundit dhe ai është Massimiliano Allegri, që aktualisht ndodhet në krye të pankinës së Juventusit. Toskani preferohet nga parizienët, për faktin se arrin të ndërtojë një skuadër të bashkuar, e sidomos arrin të mbijetojë mjaft mirë në momente të vështira përgjatë sezonit.
Madje, jo vetëm kaq, por gjithashtu, Allegri cilësohet edhe si trajneri i duhur për të menaxhuar emra të mëdhenjë të futbollit, sikurse është Lionel Messi, apo edhe Neymar. Për momentin, italiani ka një kontratë me Juventusin deri në vitin 2025 dhe duket shumë e vështirë që 54 vjeçari të largohet nga Torino, pasi aty ka marrë përsipër që të rikthejë Zonjën e Vjetër sërish tek titulli kampion. Megjithatë, të tjera zhvillime priten në vijimësi mbi çështjen në fjalë.