Ndryshime në radhët e Liverpool, trajneri Jurgen Klopp fiton më tepër “pushtet”

Sport

Jurgen Klopp nuk do të ketë vetëm rolin e trajnerit në radhët e Liverpoolit. Duke filluar nga kjo verë, tekniku gjerman pritet të marrë më tepër pushtet dhe përgjegjësi në radhët e The Reds. Përgjegjësi që kanë të bëjnë edhe me aspekte jashtë fushës së lojës, e jo vetëm brenda kontureve të saj.

Largimi i Michael Edwards nga roli i Drejtorit Sportiv, ka bërë që në këtë status të ngjitet asistenti i tij Julian Ëard. Megjithatë, pas kësaj lëvizjeje, më tepër hapësirë pritet t’i jepet edhe strategut Jurgen Klopp në vendimarrje të ndryshme brenda klubit.

Kryesisht do jenë vendime që kanë të bëjnë me futbollistët dhe menaxhimin e kontratave të tyre. Këtë dukuri, Klopp e fitoi po ashtu edhe pas rinovimit të kontratës së tij personale deri në vitin 2026-të.

Në të tilla rrethana, në kampin e The Reds, së shpejti pritet të mësohet e ardhmja e lojtarëve si Sadio Mane, Joe Gomez, dhe Alex Oxlade-Chamberlain, të cilët nëse largohen, atëherë Klopp ka kërkuar garanci financiare nga klubi që të sjellë në Anfield zëvendësuesit e tyre.

Një tjetër çështje që pritet të marrë udhë në skuadrën e Merseyside është edhe ajo e Mohamed Salah. Egjiptiani mbetet ende në dyshim se ç’do të bëjë me të ardhmen e tij, teksa mediat në ishull nuk e kanë përjashtuar munndësinë që edhe ai të largohet.

Liverpool ka mbyllur një sezon ku si rrallëherë në histori, ka luajtur çdo ndeshje të mundshme dhe në fund ia doli të fitonte dy tituj, atë të FA Cup dhe Carabo Cup. Megjithatë, kohë për t’u menduar shumë nuk ka dhe së shpejti pritet të fillojë puna për vitin tjetër futbollistik.

Jurgen Klopp nuk njihet si një trajner që pëlqen ture të gjatë para-sezonale. Për këtë arsye, trajneri i The Reds e ka reduktuar udhëtimin e skuadrës drejt Azisë deri në 6 ditë, aty ku do zhvillojë miqësore me Manchester United dhe Crystal Palace, konkretisht në datat 12 dhe 15 korrik.