Ndonëse mes problemeve, Chelsea arrin të sigurojë një finale

Sport

Pavarësisht problemeve të shumta, Chelsea arrin të sigurojë finalen e Carabao Cup dhe kjo ka ndodhur për të 10-tën herë në historinë e klubit. Vetëm Liverpool me 13, është klubi me më tepër finale të luajtura në një kompeticion të tillë. Pasi ishin mposhtur në gjysmëfianlen e parë me rezultatin 1-0 nga Middlesbrough, takimi i kthimit, ka rezultuar mjaft i lehtë për Blutë e Londrës, që tashmë, ndonëse mes problemeve të shumta, kanë mundësi të fitojnë një trofe.

Në Stamford Bridge, skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino ka fituar me rezultatin e thellë 6-1. Një prej golave të realizuar nga londinezët mbajti firmën e Enzo Fernandez, i cili këtë sezon ka nisur të bëjë edhe diferencën në formacion. Argjentinasi ka shënuar 5 gola me fanellën blu dhe që të pestë ka arritur t’i realizojë përgjatë këtij edicioni dhe që të gjithë i ka shënuar në Stamford Bridge. Kjo e bën 23 vjeçarin, të jetë lojtari i Chelsea me më tepër gola të shënuar në shtëpi, në numër të barabartë me Raheem Sterling.

Vlen të theksohet gjithashtu se në gjysmëfinalen ndaj Middlesbrough, lojtari i kombëtares shqiptare, Armando Broja zbriti si titullar në fushën e lojës, por pa mundur të shënojë ndonjë nga golat.

Ndonëse edhe përgjatë këtij edicioni, Chelsea ka shumë vend për përmirësim, por nuk ka dyshim se situata ka mjaft përmirësim nëse e krahasojmë me një vit më parë. Mjafton të përmendim këtu se në 28 ndeshje të luajtura përgjatë këtij sezoni, Chelsea ka shënuar një total prej 50 golash, aq sa shënoi përgjatë gjithë edicionit që lamë pas në 50 ndeshjesh të luajtura.