Ndonëse i rrethar nga suksesi, Bernardo Silva ka kërkuar largimin nga Manchester City. Aventura e portugezit, e nisur në verën e 2017-tës me kampionët e Europës, ka rezultuar e jashtëzakonshme. Sezon pas sezoni, ai është kthyer ndër lojtarët më të rëndësishëm të Pep Guardiolës, por vlerat e tij i ka treguar sidomos në ndeshjet e mëdha, ku gjithmonë ka ditur të jetë protagonist.
Nuk mund të ndodhte ndryshe as këtë sezon, ku Manchester City fitoi tripletën historike, kampionat, kupë dhe Champions League. Bernardo Silva shkëlqeu në të gjitha frontet. Madje, në Champions, në gjysmëfinalen e kthimit ndaj Real Madrid, 29 vjeçari ia doli të shënote 2 gola, në atë fitore 4-0 kundër ekipit spanjoll.
Pavarësisht 14 trofeve të fituar deri më tani, e pavarësisht se ka një kontratë të vlefshme edhe për dy sezone të tjera, Bernardo Silva ka arritur në përfundimin se karriera e tij, ka nevojë për një etapë të re.
Për këtë arsye, ai e ka informuar klubin që dëshiron të largohet dhe në këtë drejtim nuk pritet të ketë kundërshtime. Vetë Pep Guardiola është shprehur se ai nuk preferon të mbajë në ekip, asnjë lojtar kundër dëshirës së tij. Kësisoj, City është i hapur për të dëgjuar ofertat. Sakaq, kjo është një mundësi mjaft e mirë për kampionët e Europës, të cilët në këtë mënyrë kanë mundësi edhe për të bërë biznes. Për të shitur shërbimet e futbollistit, City kërkon rreth 90 mln euro, 20 mln euro më tepër nga shuma që shpenzoi për ta blerë nga Monaco 6 vite më parë.
Sa i përket të ardhmes së futbollistit në fjalë, ajo shihet e lidhur me PSG. Kampionët e Francës, e konsiderojnë portugezin si përforcimin ideal, për të mbuluar hapësirën e lënë bosh nga Lionel Messi. Ligue 1 është një terren që Silva e njeh mjaft mirë, për shkak të së shkuarës së tij me Monaco, atëherë kur në 2017-tën arriti të fitonte edhe një titull kampion.