Ndonëse 33 vjeç, Gareth Bale tërhiqet zyrtarisht nga futbolli

Sport

Për shumë futbollistë, mosha 33 vjeçare mund të konsiderohet ende si kulmi i karrierës, por nuk ka qenë kështu për Gareth Bale. Në mënyrë mjaft të papritur, britaniku ka vendosur të tërhiqet zyrtarisht nga futbolli. Uellsiani e ka bërë public vendimin e tij me një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

“Pasi kam marrë gjithçka në konsideratë, njoftoj tërheqjen e menjëhershme nga futbolli i klubeve dhe ai ndërkombëtar. Ndihem me fat që kam mundur të realizoj ëndrrën time, që ishte të luaja sportin që dashuroja. Ky rrugëtim për 17 vite me radhë, më ka dhënë disa prej momenteve më të mira të jetës time, që do jenë shumë të vështira të përsëriten, çfarëdo që të rezervojë e ardhmja për mua. Tashmë është koha për një ndryshim, për një aventurë të re”, ka shkruar mes rreshtave Gareth Bale.

Karriera e Bale me klubet nisi me Southampton, për të vazhduar më pas me Tottenham, Real Madrid dhe në fund me LAFC në SHBA.

Padyshim që kulmin e karrierës së tij, mëngjarashi e pati në Madrid, aty ku në 8 edicione në “Santiago Bernabeu” arriti të fitonte një total prej 19 tituj. Mes tyre vlen të theksohet suksesi i 5-fishtë në Champions League.

Mbreslënës ishte gjithashtu edhe rrugëtimi i Gareth Bale me Uellsin. Në total, ai luajti 111 ndeshje me “dragonjtë”, duke u bërë njëkohësisht edhe golashënuesi më i mirë i historisë së përfaqësueses të tij me 40 finalizime.