Breshia u ngjit këtë sezon në Serinë A italiane, pasi u shpall kampione e kategorinë inferiore italiane. Pjesë e kësaj skuadre si protagonist ishte edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Emanuele Ndoj, i cili ishte nga më të dalluarit në radhët e formacionit të “dallëndysheve”. Përmes paraqitjeve të tij të spikatura, lojtari 22-vjeçar ka tërhequr edhe vëmendjen e shumë skuadrave në Itali e jo vetëm. Aq sa tashmë interesimi kundrejt tij është vërtet i madh.
Një nga skuadrat që ka shprehur më tepër interes për të, është Palermo, drejtuesit e të cilët duket se kërkon të sigurojë shërbimet e mesfushorit për të tentuar ngjitjen në Seria A gjatë sezonit të ardhshëm. Klubi, me shumë histori në Itali, renditej këtë sezon në vendet e para por një dënim prej 20 pikësh e uli në mesin e renditjes. Gjasat që ky transferim të ndodhë janë shumë të pakta.
Në radhë të parë, sepse rikthimi në Serie B do të ishte një hap mbrapa për mesfushorin shqiptar, pas 3 viteve të luajtura aty. Për të firmosur me skuadrën siciliane, Ndojt i duhet që të qëndrojë një kategori më poshtë dhe të luajë edhe për një sezon në Serie B, duke mos arritur të provojë të aktivizohet në një kampionat siç është Seria A. Por gjithashtu duket një operacion i vështirë pasi Breshia nuk do të dojë të humbasë një futbollist të ri cilësor. Gjithsesi, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në vazhdim.