Mrekullia ndodh edhe një herë tjetër në Santiago Bernabeu. Real Madrid përmbys në vetëm pak minuta Manchester Cityn dhe kualifikohet në finalen e madhe të Champions League, aty ku në Paris, do përballet me një rival të njohur më parë, Liverpoolin.
Pasi u mposhtën 4-3 në aktin e parë, në tempullin e tyre, madrilenët u përgjigjën me rezultatin 3-1, çka ishte mjaftueshëm për të siguruar biletën drejt finales, për të 17-tën herë në histori, si asnjë klub tjetër.
Me pjesën e parë që u mbyll me rrjeta të paprekura, në të 73-tën, Riyad Mahrez kaloi Cityzens në avantazh, duke krijuar idenë se kryesuesit e Premier League ishin thuajse të kualifikuar. Mirëpo, ashtu sikurse kishte ndodhur në 1/8-tat, apo në çerekfinale, mrekullia do të ndodhte edhe një herë tjetër në Santiago Bernabeu. Atëherë kur nuk dukej asnjë mundësi në horizont, Real Madrid u rikthye në lojë. Pa asnjë gjuajtje në portë deri në të 89-tën, në minutat 90 dhe 91, Los Blancos përmbysën shifrat në 2-1, duke e dërguar takimin në kohën shtesë. Autori i të dy golave ishte asi nën mëngë i Carlo Ançelottit, braziliani Rodrigo.
Pas këtij momenti, me publikun pas vetes, Reali besoi dhe në të 95-tën, Karim Benzema realizoi edhe të 3-tin nga pika e bardhë e penalltisë, çka ishte mjaftueshëm për ta kthyer të mërkurën mbrëma në një natë të paharrueshme për merenguez.
Benzema ka realizuar 10 gola në fazën me eliminim direkt të Champions League këtë sezon futbollistik, duke barazuar në këtë mënyrë rekordin e Cristiano Ronaldos, të vendosur në 2016/17-tën. Që prej sezonit 2003/04 kur pjesë e Championsit është shtuar edhe raundi i 1/8-tave, Reali është skuadra e parë që pëson humbje në 1/8-tat, çerekfinale, gjysmëfinale dhe në fund ia del të kualifikohet në finalen e madhe.
Meritat absolute për këtë arritje të jashtëzakonshme të 13 herë kampionëve të Europës, padyshim që i shkojnë Carlo Ançelottit. Italiani bëhet trajneri i parë në histori që kualifikohet në 5 finale të Champions League, aty ku ka mundësinë të fitojë edhe titullin e 4, diçka që mund ta kthente atë në një mit të futbollit kontinental.
Tashmë me finalen të përcaktuar mes Liverpool dhe Real Madrid në 28 Maj, në Paris pritet një tjetër mbrëmje spektakolare, aty ku Europa do mësojë mbretin e saj të ri. Nëse The Reds do fitojnë trofeun e 7-të, apo Los Blancos të 14-tin, kjo mbetet për t’u parë.