Chelsea-Barcelona dhe Bayern Munich-Besiktas janë sfidat e radhës të vlefshme për 1/8-at e UEFA Champions League, që do të luhen të martën. Barcelona udhëton sërish në Londër në një duel me Blutë që mban shijen e një klasike. Valverde ka në dispozicion gjithë organikën përveç Coutinhos dhe Semedos. Fitorja 2-0 me Eibarin riktheu katalanasit te suksesi në kampionat pas dy javësh barazime, ndërsa mbeten skuadra e vetme pa humbje në Evropë. Atmosfera është pozitive. Valverde ka grumbulluar edhe Vermaelenin, të cilit drita jeshile do t’i jepet ose jo, vetëm të martën. Ndërkohë Chelsea vjen pas një fitore 4-0 në Kupë kundër Hull City-it. Conte ka pasur presione të vazhdueshme rreth një shkarkimi, por skaudra është përgjigjur mirë. Giroud pritet të debutojë në Champions me fanellën blu, ndërsa Barkley, Luiz dhe Bakayoko janë problemet e vetme në organikë. Po të martën Bayerni pret në shtëpi Besiktasin, skuadrën e vetme turke që arriti të fitojë një kualifikim si e para e një grupi në Champions League. Jup Heynckes kompetoi të dielën fitoren e 15-të radhazi duke përmbysur Wolfsburgun. Forma e bavarezëve ka qenë fantastike dhe synimi është të vazhdohet kështu edhe në Champions. Besiktas nga ana tjetër ka pasur luhatje, por përballë Bayernit ka objektiv primar të paktën shënimin e 1 goli, ndryshe nga përballja e rreth 20 viteve më parë ku u mundën 2 herë nga 2-0.