Ndeshja me Shqipërinë, ja gjendja e lojtarëve të Italisë

Sport

Italia po kryen testet e fundit përpara ndeshjes me Shqipërinë në Euro 2024. Trajneri Luçiano Spalletti është duke llogaritur lojtarët që ka në dispozicion për duelin e së Shtunës. Dy elementët që ishin në dyshim për azzurët, Nicolo Barella dhe Davide Frattesi, ia kanë dalë mbanë të rikuperohen në kohë dhe do të jenë të gatshëm për kampionët në fuqi të Europës.

Nuk dihet nëse Barella do të jetë ose jo në fushë që nga minuta e parë ndaj Shqipërisë, por e sigurt është se mesfushori do të jetë i gatshëm nga stoli.

Sa i përket Frattesit, mediat matanë detit raportojnë se edhe 24 vjeçari është stërvitur me pjesën tjetër të grupit, duke kryer të plotë përgatitjen atletike, pa dhënë asnjë shenjë dëmtimi. Në radhët e italianëve janë të qetë mbi lojtarin në fjalë, duke nisur nga trajneri, apo edhe stafi mjekësor.

Sakaq, lajme jo të mira vijnë për Nicolo Fagioli, i cili ka kryer stërvitje individuale në palestër, sepse ndien ende lodhje në gju. Megjithatë, duke marrë parasysh që deri të Shtunën, kur do të luhet ndeshja, do të jenë edhe dy ditë pushim, kështu që shpresohet shumë që edhe Fagioli të jetë në dispozicion të plotë të trajnerit Luçiano Spalletti, megjithëse gjithçka mbetet për t’u parë.