Ripërballja Golovkin-Canelo Alvarez e së shtunës mbrëma po konsiderohet gjithmonë e më shumë si ndeshja e shekullit. Dy boksierët rikthehen në Las Vegas për një tjetër sfidë rreth 1 vit pas atij barazimi tejet kontravers që u pa mes tyre. Gjatë kësaj periudhe kohore, meksikani Saul Canelo Alvarez ka vuajtur edhe një pezullim pasi rezultoi pozitiv në substanca të ndaluara. Gjithsesi gjithcka duket e shkuar dhe kundër 26-vjecarit meksikan, 36-vjecari kazak, Golovkin kërkon tashmë të shenjojë rekordin historik të mbrojtjes së titujve WBC dhe WBA për plot 21 herë radhazi.
I ashtuquajturi “Triple G” në 40 ndeshje numëron 39 fitore dhe një barazim, ndërsa Canelo ka zhvilluar 52 përballje, prej të cilave i ka fituar 49 të tilla. Eshtë një sfidë që sikurse thekson BBC, nga të dy boksierët në ring do të kemi një total prej 68 knock-outs si profesionistë. “Ndeshja e shekullit” për kategorinë e peshave të mesme përmban sërish brenda debatet rreth substancave të ndaluara. Alvarez ka rezultuar dy herë pozitiv për substancën Clenbuterol, ndërkohë mbështetja nga patriotët e tij do të jetë maksimale pasi më 15 shtator festohet edhe pavarësia e Meksikës. Kompanitë e basteve kuotojnë Golovkinin si favorite, por askush s’di ta thotë me siguri se kush do ta fitojë këtë sfidë.