Derbi i Stambollit mes Fenerbahçe dhe Besiktas gjithmonë ka prodhuar tension, mirëpo në ndeshjen e fundit të luajtur mes tyre, këto tensione i kanë kaluar edhe njëherë kufinjtë. Në ndeshjen e vlefshme për “Kupën e Turqisë”, tifozët e Fenerbahçe nuk i kanë kontrolluar nervat, duke bërë edhe lojtarët në fushë të perplaseshin disa herë fizikisht me njëri-tjetrin. Tensioni u rrit në momentet kur Quaresma ekzekutonte goditjet nga këndi për Besiktas, pasi sulmohej nga tifozeria vendase me sende të forta.
Gjithçka arriti kulmin në minutën e 57, ku pas një perplasjeje mes tifozerisë në tribunën kryesore dhe stolit të Besiktas, trajneri i “shqiponjave” Şenol Güneş u godit në kokë, duke marrë një të çarë që e detyroi të shkonte menjëherë në spital.
Situata do të dilte jashtë kontrollit dhe arbitri do të merrte vendimin e drejtë për të ndërprerë ndeshjen. Mirëpo edhe në momentin kur lojtarët u drejtuan drejt dhomave të zhveshjen nëpërmjet tunelit, patën përplasje të forta fizike me “sigurinë” e stadiumit të klubit të Fenerbahçe. Fillimisht diçka e tillë u mohua, por një video amatore e postuar në rrjetet sociale vërtetoi gjithçka. Vendimet në lidhje me ngjarjet e kësaj sfide do të merren së shpejti në një mbledhje urgjente të komisionit të disiplinës sportive në Turqi dhe federatës së futbollit. Deri më tani, me ato çfarë tregojnë pamjet filmike, aludohet se klubi i Fenerbahçe rrezikon një gjobë dhe dënim të rëndë, pasi situata të tilla në stadiumin “Şükrü Saracoğlu” janë të përsëritura.