Ndërlikohet transferimi i Mbappe tek Real Madrid, shkak bëhet kriza e sjellë nga pandemia

Sport

Kylian Mbappe është përfolur prej kohësh për një largim nga PSG, me sulmuesin francez që nuk e ka rinovuar kontratën me kampionët në fuqi të ‘Ligue 1’, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të drejtuesve për ta bindur. Ndërsa nuk është më sekret as simpatia që 21-vjeçari ka për skuadrën e Real Madrid, aty ku kanë luajtur edhe idhujt e tij në të kaluarën. Në fakt, prej kohësh mediat kanë folur për një transferim të mundshëm të Mbappe tek ‘los blancos’ në të ardhmen, por gjërat së fundmi kanë marrë tjetër drejtim. Pavarësisht se edhe drejtuesit e Real Madrid, me në krye presidentin Florentino Perez e pëlqejnë shumë Mbappe, transferimi i tij për momentin është kthyer në një mision shumë të vështirë. Kjo, për arsye financiare. Pandemia e ‘Covid-19’ ka shkaktuar telashe të mëdha në financat e klubeve dhe kësaj nuk ka shpëtuar pa u prekur edhe një gjigand si Real Madrid. Afrimi i Mbappe në skuadër do të kërkonte shumë të mëdha parash për mbylljen e operacionit dhe për kontratën e sulmuesit. Kështu, tifozët e Real Madrid do të duhet të presin ende për të parë Kylian Mbappe me fanellën e bardhë, pavarësisht dëshirës së të dyja palëve për të arritur një marrëveshje. Por në rast se Real Madrid nuk bën një lëvizje brenda 2021-shit për Mbappe, atëherë PSG do të dëgjojë edhe ofertat e tjera që mund të vijnë për kampionin e botës. Klubet nga Anglia si Liverpool, Manchester City apo Manchester United i kanë të gjitha mundësitë për ta bërë një lëvizje të tillë. Por ajo që duket se do të jetë vendimtare në këtë aspekt, është vetë dëshira e lojtarit, i cili mund të vendosë edhe të respektojë deri në fund kontratën me PSG, që skadon në qershorin e vitit 2022, e më pas të zgjedhë të transferohet si lojtar me parametra zero.