Titulli kampion në Premier League do vendoset në javën e fundit. Manchester City është ndalur në javën e 37 të Premier League, duke barazuar 2-2 me West Ham United në shtëpinë e këtyre të fundit.
Në London Stadium, skuadra e Pep Guardiolës e pa veten në telashe në 45 minutat e para, sepse të besuarit e David Moyes kaluan në avantazh të dyfishtë. Mirëpo, me nisjen e pjesës së dytë, Cityzens u rikthyen në lojë, duke barazuar rezultatin.
Pika kulmore e këtij takimi ishte minuta e 86-të, kur nga pika e bardhë e penalltisë, Riyad Mahrez kishte mundësinë më të mirë për t’i dhënë avantazhin Cityt, çka do ishte praktikisht edhe një gol titulli. Megjithatë, algjeriani gaboi, goditja e të cilit u ndal nga portieri Fabianski. Si përfundim, gjithçka u mbyll në barazpeshë, teksa gjithçka do caktohet të dielën e ardhshme në Etihad, aty ku City pret Aston Villan.
Ky barazim i bluve, në krahun tjetër ka ndezur një shpresë për Liverpool, me The Reds që mbeten ende në lojë për titullin kampion. Megjithatë, në konferencën pas ndeshjes ndaj West Ham, Pep Guardiola ka dhënë garanci se nuk ka nevojë për panic. Spanjolli kërkon përprahjen massive të publikut dhe ka thënë se është pikërisht City që e ka titullin në dorë. 51 vjeçari është shprehur se në ndeshjen e fundit, skuadra e tij do japë gjithçka nga vetja për të fituar ndaj Aston Villas në shtëpi, në mënyrë që të mbrojë titullin e Premier League.