Ndahet nga jeta futbollisti i njohur i Kombëtares Italiane

Sport

Davide Astori

Ndërsa të gjithë prisnin që ai të ishte në fushë, Davide Astori u nda nga jeta krejt papritur. Të dielën ai u gjet i pa-jetë në dhomën e hotelit. Një arrest kardiak e ndau atë përfundimisht nga ngjyrat vjollcë të Fiorentinës dhe nga njerëzit e tij më të dashur. Ishte 31-vjeç, baba i një fëmije 2-vjeçe. I lindur në San Giovanni Bianco të Bergamos, shtatlarti hodhi hapat e parë të futbollit te Pontisola e më pas te akademia e Milanit. Me kuqezinjtë qëndroi për 7 vite, nuk luajti asnjë ndeshje me skuadrën e parë. Në 2008-ën kaloi te Cagliari me të cilët luajti 180 ndeshje për 6 sezone përpara se të kalonte fillimisht te Roma e më pas te Fiorentina. Me klubin vjollcë qe kthyer në një pikë referimi duke marrë edhe shiritin e kapitenit. Prezent edhe me kombëtaren italiane, me të cilën luajti 14 takime, Astori humbi të dielën ndeshjen më të shtrenjtë: jetën, por padyshim kontributi i tij në futboll nuk do harrohet kurrë, sidomos në Firenze.