Pas 22 ndeshjesh radhazi, Andrew Wiggins duket se është gati të bëjë rikthimin e tij në parket. 28-vjeçari kanadez ka qenë një mungesë me peshë për skuadrën e Golden State Warriors gjatë muajve të fundit, teksa sqarimi i vetëm i dhënë për mosprezencën e tij, ka qenë ai i disa problemeve familjare të lojtarit. Trajneri dhe shokët e tij të skuadrës i kanë dalë shpesh në mbrojtje në deklaratat mediatike, duke u shprehur se Wiggins ka mbështetjen e Warriors, por pa qartësuar se çfarë nuk shkon me 28-vjeçarin. Burime pranë lojtarit kanë zbuluar se bëhet fjalë për një problem të rëndë shëndetsor të babait të lojtarit, që i është dashur t’i qëndrojë pranë. Mediat kanë raportuar se Wiggins tashmë është kthyer pranë ekipit dhe brenda kësaj jave mund të fillojë të luajë rregullisht, por kjo do të shihet në bazë të performancave të tij në stërvitje, pasi tek Golden State shqetësohen jo vetëm për gjendjen e tij psikologjike, por edhe për atë fizike. Trajneri Steve Kerr e mendon të mos e aktivizojë lojtarin gjatë ndeshjeve të fundit të sezonit të rregullt, për ta patur gati për fazën finale të sezonit. Rikthimi i Wiggins është padyshim një lajm i shkëlqyer për kampionët në fuqi të Warriors, pasi me kanadezin, skuadra fiton shumë kuota si në fazën mbrojtëse, edhe në atë të sulmit. Verën e kaluar, 28-vjeçari firmosi një rinovim të kontratës së tij me Golden State, që parashikonte se në 4 sezonet e ardhshme, Wiggins do të përfitonte një total prej plot 109 milionë dollarësh. Në finalet e vitit të shkuar në NBA, Wiggins luajti një rol të jashtëzakonshëm për Warriors dhe trajnerin Kerr, duke rezultuar edhe si një nga çelësat e suksesit në triumfin e arritur në serinë ndaj skuadrës së Boston Celtics.