Golden State Warriors u eleminuan në gjysmëfinalet e ‘Konferencës së Perëndimit’ nga Los Angeles Lakers, ndonëse vinin si favoritë në serinë ndaj ‘LeBron James & Co.’. Skuadra nga San Francisco nuk u pa të shfaqte të njëjtën dëshirë si vitin e shkuar për të prekur sërish ‘Finalet’ e mëdha të këtij sezoni dhe në konferencën e fundit për shtyp, trajneri Steve Kerr u përpoq të flistë pa u fshehur, rreth gjërave që ndikuan në ecurin e këtij sezoni. 57-vjeçari u shpreh se rekordi negativ në sfidat e luajtura në transfertë kanë qenë një problem që u ka hapur jo pak telashe, pasi shpresonin të kishin një renditje më të mirë në fundin e sezonit të rregullt. Kerr gjithashtu pranoi se skuadra ishte pak më e lodhur në aspektin fizik se sa kundërshtarët, duke mos e ruajtur ritmin e lartë gjatë gjithë kohës. Mirëpo një nga gjërat që tërhoqi më shumë vëmendje në deklaratat e trajnerit të Warriors, ishte rikthimi tek çështja mes Draymond Green dhe Jordan Poole. Përpara fillimit të sezonit, në tetor, Poole u përfshi në një debat me Green, me këtë të fundit që nuk nguroi të godiste me grusht shokun e skuadrës. Trajneri Kerr zbuloi se ai moment duket se tronditi jo pak besimin e lojtarëve tek ‘forca e grupit’. Sipas tij, shumë lojtarë nuk patën të njëjtën qasje ndaj njëri-tjetrit, siç kishin bërë vitin e shkuar, kur fituan dhe titullin kampion. Vetë Kerr e mbylli duke u shprehur se gjatë muajve të verës dhe fazës përgatitore, detyra e tij do të jetë pikërisht ‘të rizgjojë’ frymën e fortë të grupit në radhët e Warriors, që me një Steph Curry në formën të mirë si lider, atëherë mund të përsërisin një tjetër eucir të jashtëzakonshme, si përgjatë 2022-shit.