NBA, Warriors, Stephen Curry po rikuperohet, por mund të kthehet vetëm pas një jave

Sport

Golden State Warriors kërkojnë të luftojnë deri në fund të sezonit të rregullt për të fituar një vend në fazën finale, edhe pse konkurenca për zonën ‘play-in’ në ‘Konferencën e Perëndimit’ mbetet shumë e fortë. Kampionët në fuqi të NBA luajnë prej disa javësh pa shërbimet e liderit të tyre, Stephen Curry, i cili pësoi një dëmtim në përballjen me Dallas Mavericks. Megjithatë, lajme të mira vijnë për trajnerin Steve Kerr. Curry po ecën me ritme shumë të mira me rikuperimin e tij, por gjithësesi, stafi i Warriors nuk kërkon të rrezikojë, duke e lënë pushim 34-vjeçarin edhe për të paktën 1 javë tjetër. Kjo do të thotë se Curry do të humbasë disa ndeshje të rëndësishme të ekipit të tij, si ndaj Los Angeles Lakers, Minnesota Timberwolves dhe Portland Trail Blazers, që janë kundërshtarë direkt të kampionëve në fuqi për një biletë në fazën finale të sezonit. Trajneri Steve Kerr nuk kërkon të bëjë dramë, duke u shprehur se pjesa tjetër e skuadrës i ka respektuar pritshmëritë e tij edhe pa shërbimet e Curry. Warriors numërojnë vetëm një fitore në katër ndeshjet e fundit, teksa pas ‘All Star Weekend’ në Utah, sezoni i rregullt në NBA hyn në fazën më emocionuese. Kur kanë mbetur rreth 22 ndeshje deri në fund, Warriors mbajnë vendin e nëntë të renditjes në ‘Konferencën e Perëndimit’, me 29 fitore dhe po aq humbje. Minnesota qëndron mbi kampionaët në fuqi të NBA me 2 fitore më shumë, ndërkohë Oklahoma e Utah ndjekin me një fitore më pak, ndërsa më të distancuar janë Portland dhe LA Lakers.