NBA, Warriors ‘rigjejnë’ Curry-n, Toronto e Boston marrin fitore me peshë…

Sport

Cleveland Cavaliers janë rikthyer tek fitorja, pasi mposhtën mes vështirësive 93-90 New Orleans Pelicans. Takimi ishte mjaft i ekuilibruar në pjesën më të madhe të kohës, derisa Pelicans provuan të merrnin kontrollin në fundin e periodës së tretë. Por tek Cavaliers reaguan si duhet dhe në 12 minutat finale, siguruan një rezultat të pjesshëm 33-24, duke siguruar edhe triumfin. Ylli i ndeshjes ishte Jarrett Allen me 16 pikë e 8 ribaunde, por më shumë se prej këtyre statistikave, Allen rezultoi të ishte njeriu vendimtar në koshat e fundit të Cavaliers, si dhe në bllokimin që i bëri Jonas Valanciunas, që tentoi të çonte ndeshjen në shtesë.

Spektakël ka patur në përballjen mes Memphis Grizzlies dhe Philadelphia 76ers, që përfundoi me fitoren e këtyre të fundit 122-119. Fitorja e skuadrës së trajnerit Doc Rivers do të vinte vetëm pas kohës shtesë, me Grizzlies që në fundin e periodës së katërt, patën shansin ta fitonin ndeshjen. Ja Morant kishte një gjuajtje të lirë që mund t’i jepte avantazhin ekipit të tij, por si rrallëherë, lideri i Memphis gaboi, duke i dhënë mundësinë kundërshtarëve të ringriheshin në shtesë. Vetë Morant e mbylli ndeshjen me 37 pikë, ndërsa Desmond Bane realizoi 34, teksa ishte i saktë në 5 gjuajtje nga përtej harkut. Për Sixers, në mungesë të Joel Embiid, më i miri ishte Tyrese Maxey, me 33 pikë e 8 asiste. Në 18 ndeshjet e fundit, Philadelphia numëron vetëm 3 humbje dhe tani kanë konsoliduar pozitat e tyre në vendin e tretë të ‘Konferencës së Lindjes’.

Golden State Warriors ndërkohë kanë fituar sërish, por kësaj radhe kanë rigjetur në formë të mirë edhe Steph Curry-n, që udhëhoqi skuadrën në triumfin 122-108 ndaj Houston Rockets. Curry realizoi 7 gjuajtje për 3 pikë, diçka që i kishte munguar prej kohësh yllit të Warriors, i cili e mbylli ndeshjen me 40 pikë e 9 asiste. Ndeshje të mirë bëri edhe Wiggins, me 23 pikë, kurse tek Rockets ra në sy Christian Wood, me 24 pikë e 13 ribaunde, apo edhe Kevin Porter Jr. me 17 pikë e 11 asiste.

Fitore me peshë kanë marrë Boston Celtics dhe Toronto Raptors. Celtics mposhtën 122-92 ata që e nisën sfidën si kryesuesit e ‘Konferencës së Lindjes’, Miami Heat. Dyshja Jaylen Brown e Jayson Tatum udhëhoqi skuadrën nga Masaçusets drejt këtij triumfi. Brown ishte shënuesi më i mirë i takimit me 29 pikë, kurse Tatum dha kontributin e tij me 20 pikë e 12 ribaunde.

Toronto Rators ndërkohë ia dolën të mposhtnin mes vështirësive 106-100 Atlanta Haëks, një kundërshtar direkt sa i përket fazës ‘play-off’. Gary Trent Jr. ishte i papërmbajtshëm me plot 9 gjuajtje të sakta për 3 pikë, një rekord karriere për yllin e skuadrës kanadeze. Ai rezultoi të ishte edhe shënuesi më i mirë i sfidës me 31 pikë.

Në ndeshjet e tjera, New York Knicks triumfuan 116-96 ndaj Sacramento Kings, kurse Clippers morën një humbje të papritur 122-116 nga Indiana Pacers. Surprizojnë edhe ata të Oklahoma City Thunder, që mposhtën 98-81 Portland Trail Blazers.