Lufta për një vend në fazën ‘playoffs’ në NBA po bëhet gjithnjë e më e fortë. Në ‘Konferencën e Perëndimit’, vendi i gjashtë mbetet i lakmuar nga shumë skuadra, por ata të Golden State Warriors vazhdojnë të bëjnë më të mirën për të ruajtur pozitat e tyre. Kampionët në fuqi morën një fitore në limitet e kohës ndaj një rivali direkt si Dallas Mavericks, duke i mposhtur me rezultatin e ngushtë 127-125. Luka Doncic provoi të çonte përballjen në kohë shtesë, por slloveni gaboi në tentativën e tij, ndonëse e mbylli si më i miri në parket me 30 pikë, 7 ribaunde e 17 asiste. Për Warriors, shënuesi më i mirë ishte Jonathan Kuminga me 22 pikë, ndërsa Steph Curry u ndal në 20 pikë e 13 asiste.
Fitore me shumë peshë kanë marrë ata të Los Angeles Lakers, që edhe pse nuk vinin si favoritë, mposhtën 122-111 Phoenix Suns. Kalifornianët ia dolën të bënin një paraqitje të shkëlqyer në periodën e dytë, ku edhe përmbysën rezultatin, të udhëhequr nga Anthony Davis me 27 pikë e 9 ribaunde. Paraqitje të mirë bënë edhe D’Angelo Russell me 26 pikë apo Austin Reaves, me 25 pikë e 11 asiste. Phoenix krenohet me 33 pikët e Devin Booker, që ishte më i miri në parket në këtë aspekt, por që nuk e shmangu këtë zhgënjim për skuadrën nga Arizona.
Në takimet e tjera, Philadelphia 76ers ndalën vrullin e Chicago Bulls, duke triumfuar në transferët me rezultatin 116-91. Ndërsa dy skuadrat që kryesojnë renditjet në ‘konferencat’ respektive, nuk hasën shumë telashe për të marrë fitoret e radhës. Milwaukee Bucks mposhtën 130-94 San Antonio Spurs, kurse Denver Nuggets kaluan 118-104 Washington Wizards. Tjetër zhgënjim për New York Knicks, që humbën një ndeshje të rëndësishme ndaj Miami Heat me rezultatin 127-120. Memphis triumfoi 130-125 me Houston Rockets, kurse Atlanta Hawks u ndalën vetëm në sekondat e fundit nga Minnesota Timberwolves, që dolën fituesë me rezultatin e ngushtë 125-124.