Golden State Warriors do ta kenë shumë të vështirë të marrin vendin e parë në ‘Konferencën e Perëndimit’. Skuadra nga San Francisco ka regjistruar një tjetër humbje, pasi u mposht 119-104 nga Los Angeles Clippers. Edhe pse rigjetën një Steph Curry në formë sa i përket gjuajtjeve për 3 pikë, me 8 tentativa të sakta nga përtej harkut. Curry e mbylli me 33 pikë në total, duke qenë më i miri i ndeshjes në këtë aspekt, por që vlejnë tashmë vetëm për statistikat personale të liderit të Warriors. Perioda e tretë ishte ajo që bëri diferencën në këtë takim, atëherë kur Clippers fituan me rezultatin e pjesshëm 33-19. Terrence Mann dhe Reggie Jackson ishin ata që shkëlqyen për skuadrën kaliforniane. I pari realizoi 25 pikë, 7 ribaunde e 6 asiste, kurse Reggie u ndal në 19 pikë, 8 ribaunde e 9 asiste. Për Clippers, kjo ishte fitorja e 29 për këtë sezon, çfarë i mban në garë për një vend në zonën ‘play-off’.
Kanë marrë fitoren e 4-t radhazi dhe të 37-ën në total tek Chicago Bulls, që kaluan pa probleme 120-109 San Antonio Spurs. DeMar DeRozan udhëhoqi i vetëm skuadrën e trajnerit Billy Donovan, me plot 40 pikë e 7 asiste në 35 minuta që qëndroi në parket. Ndeshje të mirë bënë edhe Nikola Vucevic me 25 pikë e 16 ribaunde, apo Coby White, i cili e mbylli me 24 pikë, 5 ribaunde e 6 asiste, duke qenë i saktë në 5 gjuajtje për 3 pikë.
Tek Bucks ndërkohë nuk po kalojnë një moment të mirë. Kampionët në fuqi kanë marrë një humbje të papritur 122-107 nga Portland Trail Blazers, në një përballje ku nuk e kishin në dispozicion liderin e tyre, Giannis Antetokounmpo. Jrue Holiday u përpoq të udhëhiqte Bucks me 23 pikë, ndërkohë që Khris Middleton ishte pranë kompletimit të një ‘triple-double’-i, me 16 pikë, 11 ribaunde e 9 asiste. Ndërsa Portland kishte dy shënuesit më të mirë të ndeshjes, Hart, me 27 pikë dhe Anfernee Simons me 31.
Kanë rigjetur më në fund fitoren ata të Brooklyn Nets, që mposhtën 109-85 Sacramento Kings. Në debutimin e tij me fanellën njujorkeze, Seth Curry dha më të mirën e tij me 23 pikë, 7 ribaunde e 5 assite. Kështu, Brooklyn lë pas një seri negative prej 11 humbjesh dhe do të përpiqet të rifitojë sa më shpejt pozicionet e humbura në renditjen e ‘Konferencës së Lindjes’.
Në takimet e tjera, Utah Jazz shkatërruan 135-101 Houston Rockets, ndërsa Denver Nuggets kaluan 121-111 Orlando Magic. Humbje e rëndë për Toronto Raptors, që u mposhtën thellë 120-90 nga New Orleans Pelicans, teksa rigjetën fitoren edhe ata të Washington Wizards, të cilët triumfuan 103-94 ndaj Detroit Pistons.