NBA, Warriors dominojnë në ndeshjen e dytë ndaj LA Lakers; barazohet seria

Sport

Golden State Warriors kanë arritur të barazojnë serinë ndaj Los Angeles Lakers, duke triumfuar në ndeshjen e dytë të luajtur në ‘San Francisco’, me rezultatin e thellë 127-100. Pasi kishin fituar sfidën e parë në transfertë, Lakers vinin të qetë në këtë përballje dhe ia dolën të merrnin një avantazh prej 7 pikësh brenda periodës së parë. Mirëpo Warriors kishin marrë mësimet e duhura nga ajo ndeshje dhe ia dolën të përmbysnin gjithçka brenda pjesës së parë, duke u mbështetur tek Klay Thompson. 33-vjeçari ishte në formë të mirë sa i përket gjuajtjeve nga përtej harkut, duke realizuar 8 të tilla. Thompson e mbylli si shënuesi më i mirë në parket me 30 pikë, ndërkohë që Steph Curry u ndal në 20 pikë e 12 asiste. Ndeshje të mirë bëri edhe Draymond Green, me 11 pikë, 11 ribaunde e 9 asiste, teksa për Lakers, LeBron James nuk gjeti mbështetjen e duhur nga shokët e skuadrës. Veterani shënoi 23 pikë dhe i vetmi që ndoqi ritmin e tij, ishte Rui Hachimura, me 21 pikë. Anthony Davis rezultoi një zhgënjim i madh në këtë përballje, duke regjistruar vetëm 11 pikë e 7 ribaunde, ndërkohë që shpërdoroi gjatë lojës disa mundësi shumë të mira që Lakers të ruanin ritmin e kundërshtarit të tyre. Në periodën e tretë, kampionët në fuqi ia dolën të thellonin avantazhin e tyre deri në 30 pikë, çfarë i bëri gjërat shumë të thjeshta për trajnerin Steve Kerr. Tani gjysmëfinalja mes Lakers e Warriors do të zhvendoset në Los Angeles, me lojtarët e trajnerin Darvin Ham që do përpiqen të respektojnë faktorin fushë, për të rimarrë edhe njëherë tjetër avantazhin e serisë.