NBA, Warriors dhe Suns të pandalshëm; Miami përfiton nga humbja e Chicago-s

Sport

Golden State Warriors dhe Phoenix Suns vijojnë të ecin me një hap tjetër nga kundërshtarët në NBA. Dy kryesuesit e ‘Konferencës së Perëndimit’ kanë triumfuar edhe në ndeshjet e radhës, përkatësisht ndaj Oklahoma-s dhe Chicago-s. Warriors e kthyen në një formalitet përballjen me Thunder, duke e mbyllur me rezultatin final 110-98. Klay Thompson ishte shënuesi më i mirë i skuadrës nga San Francisco me 21 pikë, ndërsa Steph Curry ishte pranë realizimit të një ‘triple-double’-i me 18 pikë, 9 ribaunde e 10 asiste. Ndërsa Oklahoma mund të krenohet me faktin që kishin shëuesin më të mirë të ndeshjes, kanadezi Lou Dort, me 26 pikë.

Gjithësesi, Warriors mbetet në vendin e dytë, pasi rivalët e Phoenix Suns vazhdojnë me ritëm të lartë, duke mposhtur një kundërshtar shumë të fortë në letër si Chicago Bulls. Suns e dominuan takimin, duke arritur në një moment edhe një avantazh prej 20 pikësh, por në periodën e katërt, ekipi i trajnerit Monty Williams lëshoi shumë, duke rrezikuar jo pak. Sfida u mbyll me rezultatin e përgjithshëm 127-124, me Devin Booker me 38 pikë të shënuara, po aq sa edhe ylli i Chicago-s, DeMar DeRozan. ‘Double-double’ për Chris Paul, i cili realizoi 19 pikë e 11 asiste, në atë që ishte fitorja 43-të për skuadrën nga Arizona.

Nga humbja e Chicago-s, ka përfituar si duhet Miami Heat, që morën vendin e parë të ‘Konferencës së Lindjes’, pasi mposhtën 121-100 Washington Wizards. Bam Adebayo me 21 pikë dhe Jimmy Butler me 19 ishin ata që udhëhoqin Miami-n, në një takim që nuk pati histori. Skuadra e trajnerit Spoelstra mori një avantazh prej 15 pikësh që në periodën e parë, çfarë e bëri shumë të thjeshtë pjesën tjetër të takimit. Për Washington vijon kriza e rezultateve, pasi në 9 ndeshjet e fundit, kanë arritur vetëm 1 fitore.

Formë të shkëlqyer po kalojnë ndërkohë tek Toronto Raptors. Kanadezët kaluan 116-101 një kundërshtar direkt për zonën ‘play-off’ si Charlotte Hornets. Pascal Siakam dhe Gary Trent Jr. shënuën secili nga 24 pikë, duke dalluar tek Raptors në këtë aspekt. Hornets kishin Miles Bridges si shënuesin e tyre më të mirë me 25 pikë, por që nuk e shmangu humbjen e pestë radhazi për Hornets.

Edhe Utah Jazz kanë siguruar një fitore me peshë, 113-104 ndaj New York Knicks, në një ndeshje ku shkëlqeu Donovan Mitchell. Lideri i Utah duket se e ka lënë pas dëmtimin dhe në këtë takim realizoi 32 pikë, duke lënë pas Julius Randle të Knicks me 30 pikë.