NBA, Utah Jazz, Danny Ainge sqaron largimin e trajnerit Quin Snyder

Sport

Largimi i Quin Snyder nga drejtimi i skuadrës së Utah Jazz është padyshim një nga lëvizjet më të rëndësishme të trajnerëve të NBA në sezonet e fundit. I cilësuar si një prej më të mirëve në rolin e tij, Snyder kishte 8 vite në krye të Jazz, teksa emri i tij ishte lidhur shpesh me një kalim tek Los Angeles Lakers. Por kur kalifornianët zyrtarizuan afrimin e Darvin Ham në krye të stolit, të gjithë menduan se Snyder do të vijonte drejtimin e Jazz.

Largimi i tij ka tensionuar jo pak gjërat tek klubi me bazë në Salt Lake City dhe për të sqaruar këtë situatë, ka menduar numri 1 i Jazz, Danny Ainge. Ainge ka zbuluar se ka qenë vetë Quin Snyder ai që ka kërkuar largimin nga drejtimi i skuadrës, pasi tek Utah, ishin të vendosur për të vijuar punën me projektin e nisur me teknikun 55-vjeçar. Pavarësisht atyre që shkruhen nëpër media, Ainge ka garantuar tifozët e Jazz se përzgjedhja e trajnerit të ri do të jetë e kujdesshme, në mënyrë që Utah të kthehet sërish në rrugën e suksesit.

Sa i përket Snyder, tekniku 55-vjeçar deklaronte pas dorëheqjes nga posti se kjo lëvizje ishte më e mira jo vetëm për të, por edhe për skuadrën, që ka nevojë për një zë të ri. Mediat amerikane nxituan t’i lidhnin këto fjalë me problemet e përfolura në dhomat e zhveshjes kohë më parë, që shihte si protagonistë disa nga lojtarët më të mirë të ekipit si Donovan Mitchell, Rudy Gobert apo Mike Conley. Sa i përket rolit të trajnerit tek Jazz, Ainge dhe drejtuesit e tjerë po marrin në konsideratë emrat e Dell Demps, Jerome Allen, Terry Stotts dhe Mike D’Antoni, por ky i fundit duket i destinuar për t’u bashkuar me Charlotte Hornets në ‘Konferencën e Lindjes’.