NBA, Trae Young shfaq pakënaqësi tek Atlanta Hawks, Murray mungon për 2 javë

Sport

Atlanta Hawks mbajnë për momentin vendin e gjashtë në ‘Konferencën e Lindjes’, duke konfirmuar edhe njëherë synimet për të qenë pjesë e fazës ‘Playoffs’. Skuadra e trajnerit Nate McMillan ka përmirësuar ndjeshëm nivelin e lojës, edhe falë mbërritjes së Dejounte Murray nga San Antonio Spurs. Përfshirja e këtij të fundit në lojën e Hawks ka bërë që në shumë momente, Trae Young të humbasë protagonizmin e zakonshëm. Edhe pse cilësohet nga të gjithë si lideri i Atlantas, Young kërkon të jetë ai që vendos se si do të luhen aksionet vendimtare të ekipit të tij. Burime pranë klubit të Hawks bëjnë më dije se ka patur disa debate të ashpra mes Trae Young dhe trajnerin Mc Millan, ndonëse kjo gjë nuk është konfirmuar asnjëherë zyrtarisht. Vetë lojtari është shprehur se këto janë vetëm spekulime dhe se ai është shumë i gatshëm të bëjë gjithçka për të çuar skuadrën tek fitoret. Për më tepër, ai mendon se bashkë me të, e gjithë pjesa tjetër e lojtarëve ndihen me fat që kanë në radhët e tyre një lojtar si Murray. Gjithësesi, ky i fundit nuk do të ketë mundësinë të ndihmojë skuadrën për të paktën 2 javë, pas një dëmtimi që pësoi një humbjen 113-89 ndaj New York Knicks. Ky lajm u konfirmua edhe nga stafi mjekësor i Atlantas, ndërkohë që Trae Young, i cili supozohej të bënte disa ndeshje pushim, për shkak të kalendarit të ngjeshur, do të duhet të jetë patjetër në parket në shërbim të skuadrës. Konkurenca në ‘Konferencën e Lindjes’ për zonën ‘Playoffs’ mbetet shumë e fortë dhe Atlanta do të përpiqet të vazhdojë me ritmin aktual, për të qenë mes më të mirëve në fundin e sezonit të rregullt.