NBA, Toronto e Atlanta japin maksimumin; Warriors mposhtin Pelicans mes tensionit

Sport

Toronto Raptors e Atlanta Hawks po bëjnë gjithçka për të siguruar vendin e tyre në fazën finale të sezonit. Kanadezët morën një triumf me peshë ndaj një rivali direkt si Miami Heat, duke i mposhtur me rezultatin 106-92. Diferencat në këtë përballje u bënë në periodën e tretë, me Raptors që u udhëhoqën nga Pascal Siakam me 26 pikë. Ndeshje të mirë bënë edhe OG Anunoby me 22 pikë, apo Scottie Barnes, i cili veç 22 pikëve, ishte i rëndësishëm edhe me 12 asiste. Ndërkohë ata të Miami-t krenohen me Tyler Herro, që e mbylli si shënuesi më i mirë i lojës me 33 pikë.

Kurse Atlanta fitoi në limitet e kohës ndaj Cleveland Cavaliers, me rezultatin e ngushtë 120-118. Edhe pse kishin përballë një Donovan Mitchell në formë të shkëlqyer, me yllin e Cavaliers që shënoi 44 pikë, Hawks ia dolën të menaxhonin si duhet periodën e katërt. Dejounte Murray ishte lideri i Atlanta-s sa i përket pikëve, me 29 të tilla, kurse Trae Young u ndal në 16 pikë e 10 asiste. Mitchell provoi të shkaktonte befasinë në sekondat e fundit me një gjuajtje për 3 pikë, nga distanca, por pa qenë i saktë.

Kurse në ‘Konferencën e Perëndimit’, përballja më e rëndësishme ishte ajo mes Golden State Warriors dhe New Orleans Pelicans, me kampionët në fuqi që dolën triumfues me rezultatin 120-109. Takimi u zhvillua mes një tensioni të madh, pasi të dyja skuadrat vinin me nevojë për të fituar. Draymond Green pati disa herë përplasje me emra si Brandon Ingram, Murphy apo Jones, duke i dhënë përballjes një atmosferë ‘playoffs’-i. Steph Curry bëri liderin për Warriors, duke qenë shënuesi më i mirë në parket me 39 pikë, ndërkohë që dha një kontribut të rëndësishëm edhe me 8 ribaunde e po aq asiste.