NBA, Toronto bën mrekullinë në fushën e Golden State

Sport

Toronto Raptors kanë zhvilluar një ndeshje të jashtëzakonshme në fushën e Golden State Warriors, duke i mundur kampionët në fuqi me rezultatin 123-109. Në takimin e tretë të serisë së finales së madhe të NBA, Toronto shfrytëzoi në maksimum mungesat e rëndësishme të kundërshtarëve, me Kevin Durant e Klay Thompson të dëmtuar. As një super Steph Curry nuk mund të shpëtonte skuadrën e Warriors nga kjo humbje e rëndë, me liderin e skuadrës perëndimore që realizoi 47 pikë, 7 asiste dhe 8 rikuperime të topit nën tabelë. Nga ana tjetër, për Toronton shënuesi më i mirë ishte Kawhi Leonard, që shënoi 30 pikë, por dha kontributin e tij edhe me 6 asiste dhe 7 rikuperime të topit nën tabelë. Plot 5 lojtarë të ekipit kanadez shënuan më shumë se 15 pikë, çfarë duket se diktoi edhe rezultatin final të takimit, teksa tek Warriors mbi kuotën e 15 pikëve kaluan vetëm Curry dhe Draymond Green. Raptors morën avantazhin që në periodën e parë të lojës, të cilën e fituan me rezultatin e pjesshëm 36-29. Leonard ishte i jashtëzakonshëm edhe në fazën mbrojtëse, ku ia doli të bënte edhe 2 bllokime. Kështu Toronto rimerr avantazhin e serisë së finales pas 3 ndeshjeve të luajtura, kurse Golden State e sheh situatën të komplikuar. Kampionët do të kërkojnë të fitojnë medoemos ndeshjen e katërt, që do të luhet përsëri në shtëpinë e tyre.