Nuk kanë të ndalur humbjet për Brooklyn Nets. Skuadra njujorkeze vazhdon të përjetojë momentin më të keq të këtij sezoni në NBA, teksa kanë marrë humbjen e gjashtë radhazi, dhe të 22-ën në total. Nets u mposhtën këtë herë nga Sacramento Kings, me rezultatin 112-101, në një sfidë ku James Harden zhgënjeu totalisht. ‘The Beard’ shënoi vetëm 4 pikë në 37 minuta që qëndroi në parket, çfarë shënon një rekord negativ të viteve të fundit për të. Gjithësesi, Harden u përpoq të jeptë kontributin e tij me 12 asiste e 7 ribaunde, por që nuk mjaftuan. Kyrie Irving nga ana tjetër nuk është se bëri më mirë, me vetëm 14 pikë të shënuara, ndërkohë që tek Kings, më të mirët ishin Barnes me 19 pikë, Hield e Mitchell, me 2 të fundit që realizuan secili nga 18 pikë.
Është thyer më në fund edhe Philadelphia 76ers, që humbi në sekondat e fundit sfidën me Washington Wizards, me rezultatin 103-106. Joel Embiid ishte rikthyer në parket për të udhëhequr skuadrën e Sixers dhe kamerunasi nuk zhgenjeu, me 27 pikë, 14 ribaunde e 6 asiste. Por kjo nuk mjaftoi që të vijonin serinë e fitoreve, pasi gjetën Wizards në një formë shumë të mirë. Spencer Dinwiddie kompletoi një ‘triple-double’ me 14 pikë, 12 ribaunde e 10 asiste, teksa shënuesi më i mirë për kryeqytetasit ishte Kyle Kuzma me 24 pikë. Embiid u përpoq të ndryshonte fatin e ndeshjes në çastet e fundit, por lideri i Sixers gaboi, çfarë i dha fitoren skuadrës së Wizards.
Janë rikthyer ndërkohë tek fitorja Utah Jazz dhe Los Angeles Lakers. Utah mposhti mes vështirësive 108-104 Denver Nuggets, në një takim ku këta të fundit vinin pa Nikola Jokic. Ndërsa Lakers mposhtën 99-94 Portland Trail Blazers, duke iu falur paraqitjes së Anthony Davis. ‘AD’ ishte vendimtar me 30 pikë e 15 ribaunde, ndërsa Russell Westbrook ishte pranë kompletimit të një ‘triple-double’-i, me 9 pikë, 10 ribaunde e 13 asiste.
Në takimet e tjera, Memphis Grizzlies vijojnë të shfaqin formën e mirë, pasi mposhtën 120-108 New York Knicks, kurse Boston Celtics kaluan 113-107 Charlotte Hornets. Befasojnë teksanët e Oklahomas e të Houston. Thunder triumfuan në kohën shtesë 120-114 ndaj Dallas Mavericks, të cilëve nuk u mjaftuan 40 pikët e Luka Doncic. Kurse Rockets bënë surprizën ndaj Cleveland Cavaliers, të cilët i mposhtën 115-104.