Boston Celtics duket se e kanë lënë pas momentin negativ, ku patën disa luhatje në vazhdimësinë e rezultateve, teksa mposhtën 124-95 Dallas Mavericks. Takimi nuk pati shumë histori, me Celtics që arritën të siguronin një avantazh prej 18 pikësh brenda pjesës së parë. Jayson Tatum fitoi në këtë mënyrë duelin e drejtpërdrejtë me Luka Doncic, pasi të dy shihen si kandidatë për çmimin e ‘MVP’ në fund të sezonit. Tatum kompletoi një ‘triple-double’ me 29 pikë, 14 ribaunde e 10 asiste. Ndërsa Doncic u ndal në 23 pikë e 9 ribaunde. Kjo ishte humbja e 14 për Mavericks, që mbeten në vendin e katërt në ‘Konferencën e Perëndimit’, kurse ata të Celtics ruajnë kreun në ‘lindje’.
Fitore pa shumë telashe edhe për Denver Nuggets, që kaluan 122-91 Los Angeles Clippers. Këta të fundit vinin pa Kawhi Leonard e Paul George, çfarë e bëri shumë të thjeshtë detyrën për Nikola Jokic e Jamal Murray. Kanadezi ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 18 pikë, ndërsa Jokic e mbylli me 12 pikë, 6 ribaunde e 9 asiste, në vetëm 24 minuta që qëndroi në parket. Denver ndan kështu kreun e renditjes me Memphis Grizzlies, që po ashtu ‘bënë detyrën’, duke mposhtur 123-115 Orlando Magic.
Ja Morant bëri liderin për skuadrën e tij me 32 pikë, 5 ribaunde e 6 asiste, por këtë herë ra në sy edhe paraqitja e Jaren Jackson Jr. Shtatlarti i Grizzlies kompletoi një ‘double-double’ me 31 pikë e 10 ribaunde, ndërkohë që ata të Orlandos mund të krenohen me 30 pikët e shënuara nga Paolo Banchero, por që vlejnë vetëm për statistikat e numrit 1 të ‘Draft’-it të këtij sezoni.
Vazhdon të shfaqet i pandalshëm Lauri Markkanen tek Utah Jazz. Finlandezi frymëzoi një tjetër fitore për skuadrën e tij, këtë herë 131-114 ndaj Houston Rockets, duke shënuar një rekord karriere me plot 49 pikë në llogarinë e tij. Markkanen dha kontributin e tij edhe me 8 ribaunde e 1 bllok, teksa ishte i saktë në 6 gjuajtje nga përtej harkut. Për Houston, më i miri ishte Jalen Green me 30 pikë, por teksanët vijojnë të mbajnë vendin e fundit në ‘Konferencën e Perëndimit’, ndërkohë që Utah vazhdon të ruajë vendin e dhjetë, që të çon në fazën ‘play-in’.