Cleveland Cavaliers dhe Boston Celtics duket se po respektojnë më së miri faktorin fushë. Në “Quickens Loans Arena”, vendasit e Cavaliers kanë shënuar fitoren e radhës me rezultatin 111-102, duke barazuar në këtë mënyrë edhe serinë e finales së “Konferencës së Lindjes” në 2-2. LeBron James dhuroi një tjetër performancë prej “MVP”-je, teksa realizoi plot 44 pikë, 3 asiste dhe 5 zotërime të topit nën tabelë. James ishte i papërmbajtshëm në periodën e parë të lojës, të cilën skuadra e tij e fitoi 34-18.
Në fakt ishte pikërisht kjo pjesë e lojë që ndikoi më së shumti në fitoren e Cavaliers, pasi 3 periodat e tjera të lojës u fituan nga Celtics, të cilët gjithësesi nuk ia dolën dot të dilnin nga Cleveland me një fitore. Shënuesi më i mirë për skuadrën nga Masaçusets ishte Jaylen Brown me 25 pikë, ndërsa Jayson Tatum dhe Terry Rozier u ndalën në 17 dhe 16 pikë. Ndeshja e radhës e kësaj serie do të luhet në “TD Garden”, aty ku Boston do të kërkojë të rimarrë avantazhin.