NBA, Steph Curry i premton besnikëri kampionëve të Golden State

Sport

curry
Stephen Curry është padyshim një nga simbolet kryesore të epokës së artë që po kalon Golden State Warriors në NBA, ku në 4 sezonet e fundit kanë fituar 3 tituj kampion. Ai e ka kaluar të gjithë karrierën e tij te kjo skuadër dhe dëshiron që këtë gjë ta bëjë deri në ditën e fundit që do të luajë basketboll. Kështu ka deklaruar vetë Curry në një intervistë të dhënë së fundmi për ESPN, ku konfirmoi se nëse do të ketë mundësi, do të mbyllë karrierën në Oakland. “Uroj që kjo gjë të realizohet. Këtu është shtëpia ime, ky është vendi ku unë, për arsye të ndryshme, kam dëshirë të qëndroj përgjithnjë”, u shpreh Curry.

stephen

Aktualisht, ai ka ende një kontratë 4-vjeçare me skuadrën e Golden State, nga e cila përfiton 201 milionë dollarë, e që skadon në fund të sezonit 2021-2022. Pak kohë më parë, lideri i Golden State është parë të kaloj jo pak kohë në qytetin e Charlotte, por vetë Curry hedh poshtë çdo spekulim. “E dua këtë qytet, këtë stadium. E vetmja arsye që shkoj në Charlotte është se aty kam motrën time që është martuar. Nuk e kam çuar asnjëherë në mendje se do të largohem nga ky qytet”, u shpreh 30-vjeçari. “Unë nuk e di se si do të shkojë karriera ime, por mendoj se nuk do të largohem që këtu, pasi tek Warriors kam ndërtuar gjithçka“.