NBA, Spurs rinovojnë kontratën e De’Aaron Fox për 4 vite

Sport

San Antonio Spurs i kanë idetë e qarta për projektin e nisur. Victor Wembenyama që shihet si fytyra e ekipit për një kohë të gjatë, ndërkohë që drejtuesit po sigurohen që të vendosin rreth tij, elementët e duhur. Një prej tyre është edhe De’Aaron Fox, i ardhur gjatë shkurtit të kaluar nga Sacramento Kings, në një shkëmbim që përfshiu 3 skuadra.

Drejtuesit e San Antonio Spurs kanë arritur marrëveshjen për të rinovuar kontratën e Fox, edhe për 4 vite të tjera, nga ku lojtari do të fitojë në total plot 229 milionë dollarë. Ky lajm është konfirmuar edhe nga agjenti i basketbollistit, duke provuar se projekti i skuadrës teksane është i qartë dhe serioz. Synimi i Spurs është që në sezonin e ardhshëm, të jenë pjesë e fazës ‘play-offs’, pavarësisht faktit që ‘Konferenca e Perëndimit’ është shumë e luftuar dhe e vështirë për të bërë parashikime.

Mes Sacramento-s dhe San Antonio-s, Fox zhvilloi sezonin e kaluar 62 ndeshje, duke regjistruar një mesatare prej më shumë se 23 pikësh për ndeshje, thuajse 5 ribaundesh dhe 6 asistesh. Fox ishte zgjedhja e pestë në raundin e parë të ‘Draft’-it të vitit 2017 nga Sacramento Kings, që asokohe e mendonte si të ardhmen e projektit të tyre. Gjërat ndryshuan me kalimin e viteve dhe vetë Fox ishte i gatshëm të largohej në mesin e sezonit të kaluar, pasi nuk shihte sukses në ecurinë e projektit.