NBA, Spurs dështojnë në sekondat e fundit ndaj Grizzlies; Phoenix nuk toleron as kundër Golden State

Sport

San Antonio Spurs nuk do ta kenë të lehtë të mbërrijnë tek faza ‘play-in’. Skuadra teksane, që duket të jetë në luftë për vendin e 10 në ‘Konferencën e Perëndimit’ me Los Angeles Lakers,  u mposht në sekondat e fundit 112-111 nga Memphis Grizzlies. Dejounte Murray bëri një ndeshje të madhe me 33 pikë e 13 ribaunde, ndërkohë që Grizzlies vijojnë të luajnë pa Ja Morant. Skuadra e trajnerit Jenkins kishte një avantazh komod deri në nisjen e pjesës së dytë. Por duke ditur objektivat e tyre, Spurs-at shtynë përpara dhe ia dolën të ngushtonin deri në 1 pikë distancën, falë një finalizimi të Keldon Johnson. Po i njëjti emër do të kishte edhe shansin për t’i dhënë fitoren skuadrës së San Antonios, por në mënyrë të pabesueshme, nga një distancë e afërt me koshin, numri 3 i Spurs gaboi, çfarë i dha fitoren skuadrës së Memphis. Kjo humbje i shkon përshtat skuadrës së Lakers, që tani do të kenë shansin të shkëputen ndaj rivalëve të tyre.

Përplasje e rëndësishme në ‘Konferencën e Perëndimit’ ishte edhe ajo mes Phoenix Suns dhe Golden State Warriors. Edhe pse tashmë e kanë siguruar kalimin e tyre në fazën tjetër si kryesuesit e renditjes, Suns nuk lëshuan edhe ndaj Warriors, duke triumfuar 107-103. Devin Booker dhe Mikkal Bridges shënuan nga 22 pikë secili, ndërkohë që Warriors mund të krenohen me paraqitjen e Jordan Poole, që u ndal në 38 pikë, 9 ribaunde e 7 asiste.

Në ‘Konferencën e Lindjes’, një nga ndeshjet më të rëndësishme ishte përballja mes Boston Celtics e Miami Heat, e fituar nga këtë të fundit me rezultatin 106-98. Lojtarët e trajnerit Spoelstra ia dolën ta përmbysnin disa herë rezultatin, ku diferencat u bënë në periodën e katërt. Jimmy Butler shënoi 24 pikë, 1 më shumë se sa Kyle Lowry, kurse Celtics i gëzohen paraqitjes së Jaylen Brown, me 28 pikë, 10 ribaunde e 6 asiste.

Dallas Mavericks vazhdojnë rrugën e fitores, teksa mposhtën 120-112 Cleveland Cavaliers. Luka Doncic 35 pikë, 9 ribaunde e 13 asiste udhëhoqi teksanët drejt këtij triumfi të vështirë në ‘Rocket Mortgage Fieldhouse’. Mavericks konsolidojnë pozitat e tyre në vendin e katërt të renditjes, duke u shkëputur me dy fitore më shumë se sa ndjekësit e Utah Jazz.

Në takimet e tjera, New Orleans Pelicans mposhtën 117-107 Portland Trail Blazers, kurse Toronto Raptors nuk e patën shumë të vështirë ndaj Minnesota Timberwolves, me një fitore 125-102. Atlanta Hawks triumfuan 136-118 ndaj Oklahomas, ndërkohë që Denver Nuggets, të udhëhequr nga Nikola Jokic, fituan 125-118 me Indiana Pacers.