Skandalet seksuale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë prekur edhe sportin, për më tepër, një nga skuadrat më të njohura të basketbollit amerikan.
Behet fjalë për Dallas Mavericks, ku në qendër të akuzave është ish-pronari i skuadrës teksane, Terdema Ussery.
Sipas një investigimi të “Sport Illustrated”, 59-vjeçari ka perdorur pushtetin e tij për të ngacmuar seksualisht punonjëset e shoqerisë së tij, duke i vënë shpeshherë nën presion, apo edhe duke ushtruar dhunë ndaj tyre.
Për ta vërtetuar këtë, tabloidi i njohur shton se ka siguruar dëshmi të shumta të ish-punonjësve, që janë shprehur të sigurt se diçka e tillë ndodh edhe tani. Ndërkohë që thuhet se në mbështetje të këtij investigimi kanë dalë edhe ish-drejtues të Mavericks.
Këto ngacmime nuk kanë mbaruar as kur shoqërine e bleu miliarderi Mark Cuban, pasi Ussery vazhdoi të ishte prezent në drejtimin e saj.
Nuk kanë munguar as reagimet e trajnerit të Dallas, Rick Carlisle, që është shprehur se ndihet krenar që jeton në një botë kur njerëzit kanë guxim të flasin të vërtetën dhe se është në mbështetje të tyre. Kurse Dirk Noëitzki, lojtari emblemë i Mavericks, ka thënë se ndihet i pështirosur nga gjithë kjo histori, njesoj si shumë të tjerë.
“E lexova artikullin dhe jam vërtet i shokuar. Ndihem i trishtuar. Mendimet tona tashmë shkojnë vetëm për viktimat e këtij skandali.”
Ky investigim pritet t’i kalojë prokurorisë teksane, ku nëse vërtetohen të gjitha akuzat, atëherë personat e perfshirë në këtë skandal rrezikojnë dënime të rënda.
Së fundmi, Dallas Mavericks u dënuan nga federata amerikane e basketbollit me 600 mijë dollarë, për shkak të fjalëve të pronarit Mark Cuban se humbja ishte opsioni më i mirë për skuadrën në këtë sezon.