Nuk ka shkuar ashtu siç ishte menduar rikthimi i Ben Simmons në Philadelphia. Australiani dhe skuadra e Brooklyn Nets u mposhtën 115-106 nga Sixers, edhe pse këta të fundit vinin në këtë përballje pa shërbimet e yllit kryesor të tyre, Joel Embiid. Philadelphia mori kontrollin e lojës që në periodën e parë, kur siguruan një avantazh prej 7 pikësh. Nga aty, gjërat u bënë shumë më të thjeshta, me Sixers që thjesht menaxhuan lojën. Tobias Harris ishte shënuesi më i mirë i takimit, me 24 pikë, vetëm 1 më shumë se sa Kyrie Irving i Brooklyn Nets. Vetëm 20 pikë nga Kevin Durant, që nuk ishte në formën e tij më të mirë të mundshme sa i përket përqindjes së realizimit. Ndërsa Ben Simmons bëri një paraqitje të mirë në aspektin personal, me 11 pikë, 7 ribaunde e 11 asiste. Triumf të rëndësishëm morën ata të Phoenix Suns, që kaluan 115-105 LA Lakers, pavarësisht një paraqitjeje të shkëlqyer të Anthony Davis, i cili e mbylli me 37 pikë e 21 ribaunde. Pjesa e parë e lojës ishte mjaft e balancuar, ndërsa diferencat u bënë në periodën e tretë, ku Suns fituan me rezultatin e pjesshëm 33-24. Devin Booker dhe Mikkal Bridges shënuan nga 25 pikë secili, teksa Lakers luanin edhe këtë përballje pa shërbimet e LeBron James. Nuk kanë të ndalur tek Sacramento Kings. Skuadra e trajnerit Mike Broën mposhti 113-109 Memphis Grizzlies, në një ndeshje mjaft emocionuese deri në sekondat e fundit. Ja Morant shënoi 34 pikë, duke qenë më i miri i ndeshjes në këtë aspekt, mirëpo ylli i Grizzlies nuk ia doli në sekondat e fundit të shfrytëzonte gjuajtjet e lira për të rihapur gjithçka. Për Sacramento-n, shkëlqyen De’Aaron Fox me 32 pikë, 8 ribaunde e 6 asiste, si edhe Harrison Barner, me 26 pikë të shënuara. Humbje e papritur për Denver Nuggets, që u mposhtën në sekondat e fundit, 110-108 nga Detroit Pistons. Takimi nisi me ritëm shumë të lartë dhe skuadrat kishin diferenca të vogla sa i përket pikëve. Në momentet e fundit, Jamal Murray nuk shfytëzoi si duhet gjuajtjet e lira, duke mos e shmangur këtë humbje ndaj Pistons. Kanadezi nuk shënoi më shumë se 10 pikë, duke qenë larg pritshmërive, ndërkohë që Nikola Jokic vijon me shifrat e tij të zakonshme, me 31 pikë, 9 ribaunde e 10 asiste. Për Pistons, më të mirët ishin Bogdanovic dhe Burks, që shënuan respektivisht 22 e 21 pikë.