Përballja mes Philadelphia 76ers dhe Brooklyn Nets nuk do të jenë asnjëherë një ndeshje normale e NBA, të paktën jo për sa kohë pjesë e njujorkezëve të jetë edhe Ben Simmons. Sixers kanë triumfuar 137-133 ndaj Nets në një ndeshje mjaft të luftuar dhe plot tension, që u vendos vetëm në sekondat e fundit. Brooklyn, që luante sërish pa Kevin Durant, pati dy shënuesit më të mirë të sfidës, Seth Curry me 32 pikë dhe Kyrie Irving me 30, me këtë të fundit që dha kontributin e tij edhe me 10 asiste. Ndërsa tek Philadelphia, më të mirët ishin Tyrese Maxey me 27 pikë dhe Joel Embiid, i cili e mbylli ndeshjen me 26 pikë e 10 ribaunde. Kjo ishte një fitore e rëndësishme për Philadelphia-n, që mposht një rival direkt për vendin e dytë në ‘Konferencën e Lindjes’. Të vetmit që mund të cënojnë pozitat e Sixers për momentin janë ata të Milëaukee Bucks, që me rikthimin e Giannis Antetokounmpo, ka rigjetur rrugën e fitoreve. Bucks mposhtën 107-99 Denver Nuggets, në një takim ku kryesuesit e ‘Konferencës së Perëndimit’ luanin pa dy yjet kryesorë: Nikola Jokic dhe Jamal Murray. Giannis ndërkohë ishte lojtari më i mirë në parket, me një tjetër ‘double-double’, me 33 pikë të shënuara e 14 ribaunde.
Ndeshje emocionuese ka rezultuar edhe ajo mes Golden State Ëarriors e Memphis Grizzlies, me kampionët në fuqi që triumfuan 122-120 vetëm në sekondën e fundit. Jordan Poole ishte ai që shënoi koshin vendimtar të takimit, ndërkohë që Ëarriors u frymëzuan nga lideri i tyre, Steph Curry, që ia doli të shënonte 34 pikë. Ndërsa tek Memphis, më i dalluari ishte Ja Morant, me 29 pikë e 12 asiste, por që nuk e shmangën dot humbjen në parketin e kampionëve të NBA.
Damian Lillard ka bërë një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme me Portland Trail Blazers, që dolën triumfues 134-124 ndaj Utah Jazz. Lideri i Portland shënoi plot 60 pikë, si dhe kontribuoi me 7 ribaunde e 8 asiste. Utah kishte një avantazh prej 12 pikësh në fundin e periodës së parë, por me shpërthimin e Lillard, gjërat u bënë më të thjeshta për Trail Blazers. Triumfojnë edhe ata të Lakers, që kaluan 113-104 San Antonio Spurs, falë edhe rikthimit të Anthony Davis, që kompletoi një ‘double-double’ me 21 pikë e 12 ribaunde.