NBA, Sixers bëjnë detyrën në shtëpi; Kings mposhtin mes tensionit Warriors

Sport

Philadelphia 76ers ka marrë avantazhin 2-0 në serinë ndaj Brooklyn Nets, duke bërë detyrën në dy sfidat e luajtura në shtëpinë e tyre, në ‘Wells Fargo Center’. Edhe pse Nets në këto dy takime ia kanë dalë mbanë të limitojnë Joel Embiid, nuk kanë mundur të ndalin pjesën tjetër të Sixers, me Tyrese Maxey që rezultoi të ishtë shënuesi më i mirë në ndeshjen e dytë, me 33 pikë. Embiid e Tobias Harris kompletuan nga një ‘double-double’, me 20 pikë secili, ndërkohë që për Nets, shënuesi më i mirë ishte Cam Johnson me 28 pikë. Loja ishte mjaft e balancuar dhe deri në nisjen e periodës së katërt, rezultati ishte i barabartë. Në 12 minutat e fundit, trajneri Doc Rivers filloi të besonte më shumë tek Maxey e të tjerët, duke parë që Embiid bllokohej gjithnjë nga dy lojtarë, sapo vihej në kontakt me topin. Kështu, Sixers arrijnë të shpërblejnë tifozët  e tyre, duke triumfuar 96-84 dhe shkojnë shumë të qetë në sfidat e radhës, që do të luhen në ‘Barclays Center’, në Brooklyn.

Edhe Sacramento Kings kanë bërë detyrën, duke fituar të dyja ndeshjet e para në shtëpi, ndaj Golden State Warriors. Në takimin e dytë, Kings triumfuan 114-106, në një sfidë të mbushur me emocione e tension. Perioda e parë shkoi në favor të Warriors, mirëpo kampionët në fuqi lëshuan shumë në 12 minutat e dyta, duke u mposhtur me rezultatin e pjesshëm 41-29. Nga aty, Sacramento ia doli të menaxhonte gjithçka në mënyrën e duhur, ndonëse hasi jo pak telashe në periodën e katërt. Tensionet u shtuan pas një situate aspak të hijshme mes Domantas Sabonis dhe Draymond Green, i cili pas përplasjes verbale edhe me tifozët, do të përjashtohej nga loja. Steph Curry u përpoq t’i jepte fitoren skuadrës së tij, duke e mbyllur si shënuesi më i mirë me 28 pikë, 4 më shumë se sa ylli kryesor i Kings, De’Aaron Fox. ndeshje të mirë bëri edhe Domantas Sabonis, me 24 pikë e 9 ribaunde, ndërkohë që Malik Monk ishte i protagonist me një gjuajtje të saktë për 3 pikë, në një moment vendimtar të takimit.