Kanë nisur të marrin formë 1/8-tat e finaleve në Konferencën e Lindjes në NBA. Interesante është se me rezultatet e fiksuara nga përballjet e deritanishme, po triumfojnë skuadrat që në sezonin e rregullt u pozicionuan më mirë në tabelën e renditjes.
Boston Celtics e ka dërguar në 3-0 tashmë serinë e fitoreve ndaj Brooklyn Nets. Suksesi i fundit u arrit me shifrat 109-103. Jayson Tatum dhe Jaylen Broën morën situatën në kontroll, duke shënuar konkretisht nga 39 dhe 23 pikë secili. Për Nets, nuk mjaftoi përpjekja me 26 pikë e Bruce Brown, që mbetet vetëm si statistikë. Në këtë takim, pavarësisht se është aktivizuar 45 minuta e 54 sekonda në parket, nuk ka mundur të shkëlqejë dot sikurse duhet, Kevin Durant, i cili gjatë këtij harku kohor, mundi të realizonte vetëm 16 pikë, shoqëruar me 8 asist dhe po kaq rebound. Po ashtu, për Nets, diferencën nuk ka mundur ta bëjë dot as Kyrie Irving. Në të tilla rrethana, ndeshja e radhës mes këtij çifti konsiderohet si vendimtare. Nëse Boston Celtics triumfon sërish, atëherë siguron biletën për më tej. Në krahun tjetër, ky mund ta konsiderohet treni i fundit për Durant me shokë, të cilët, për të mbetur në garë, nuk kanë rrugë tjetër përveç fitores.
Në çiftin tjetër, Miami Heat po kryeson 3-1 ndaj Atlanta Haëks. Heat triumfuan në serinë e 4 me rezultatin 110-86-të, falë një double-double të realizuar nga Jimmy Butler, me 36 pikë dhe 10 rebound.
Më tej, Milwaukee Bucks po rezulton një kundërshtar shumë i fortë për Chicago Bulls. Deri më tani, Bucks po triumfojnë 3-1, por ajo që vërehet është diferenca e madhe e pikëve që të besuarit e Mike Budenholzer po fitojnë ndaj kundërshtarit. Në takimin e fundit, rezultati përfundimtar ishte 119-95, me shkëputjen që nisi që në periodën e 2-të.
I papërmbajtshëm ishte Janis Antetokounmpo, me 32 pikë dhe 17 rebound. Askush nuk mundi të bënte dot më mirë sesa ai në parket. Ndeshja e radhës do jetë vendimtare për të dyja skuadrat, aty ku Bucks kanë mundësinë për të siguruar kualifikimin, ndërsa Bulls do përpiqen të rikthehen në lojë.
Ndërkohë, në serinë e 4, Toronto është rikthyer në lojë ndaj Philadelphia 76-ers. Këta të fundit i bënë një nisje shumë të mirë garës, duke shkuar deri në 3-0, por u dorëzuan në takimin e fundit, aty ku u mposhtën 110-102. Edhe në këtë çift, sfida e radhës është ajo që do caktojë fatet e secilës skuadër.