NBA/ Situata në Konferencën e Lindjes

Sport

Pavarësisht luhatjeve të herë pas hershme, Boston Celtics vijon të kryesojë Konferencën e Lindjes në NBA. Pas 4 fitoreve të njëpasnjëshme, më pas, erdhën menjëherë 2 humbje njëra pas tjetrës. Megjithatë, skuadra nga Masacusets ka ditur të reagojë mjaft mirë, duke triumfuar ndaj Dallas Mavericks dhe San Antonio Spurs.

Në triumfin e tyre më të freskët, atë ndaj Spurs, me rezultatin 121-116 në transfertë, për të besuarit e Joe Mazzulla spikatën Jayson Tatum, Jaylen Broën dhe Malcolm Brogdon, të cilët shënuan përkatësisht nga 34, 29 dhe 23 pikë.

Mirëpo, që Celtics të mbajë kreun në Lindje, duhet të ketë shumë kujdes, sepse në vend të dytë klasifikohet një ekip si Brooklyn Nets, që po përjeton një ecuri thuajse perfekte. Skuadra me bazë në New York City, regjistron 14 fitore në 15 ndeshje.

Mirëpo, në takimin e tyre më të fundit, atë ndaj Miami Heat, pavarësisht fitores 102-101, Nets morën një lajm aspak pozitiv. Gjatë një dueli me Jimmy Butler, Kevin Durant pësoi një dëmtim në gju, ndërsa koha e riaftësimit mbetet për t’u ekzaminuar në vijimësi.

Më tej, në vendin e 3-të të Konferencës së Lindjes, klasifikohet Milsaukee Bucks, që në ndeshjen e fundit ka pësuar një humbje të rëndë në shtëpi ndaj Charlotte Hornets, 138-109-të.

Ndërkohë, Chicago Bulls ka nisur ngjitjen. 3 fitoret e fundit radhazi, e kanë ngjitur ekipin e drejtuar nga Billy Donovan në vendin e 9-të të tabelës, në zonën play-off.