NBA, Sacramento Kings në ‘Playoffs’ pas 16 vitesh

Sport

Tashmë është zyrtare. Sacramento Kings janë rikthyer të jenë pjesë e fazës ‘playoffs’ në NBA pas më shumë se 16 vitesh. Skuadra nga ‘Konferenca e Perëndimit’ triumfoi 120-80 në ndeshjen ndaj Portland Trail Blazers, çfarë i dha fundit një prej rekordeve më negative në historinë e NBA, asaj të mungesës më të gjatë në fazën finale të sezonit. Në fakt, edhe në sportet e tjera të dashura nga amerikanët, si NFL, MLB apo NHL, asnjë klub nuk ka patur një mungesë të tillë në ‘playoffs’. Herën e fundit që Kings luanin në fazën finale të sezonit, eleminoheshin që në raundin e parë nga San Antonio Spurs. Seria asokohe mbyllej 4-2 me ndeshjen e fundit mes tyre të luajtur më 5 maj të 2006-ës. Një pritje e gjatë për tifozët e Sacramento-s, që më në fund shohin të marrë fund edhe procesi që nisi si rindërtimi i skuadrës së Kings. De’Aaron Fox i ka respektuar pritshmëritë për të bërë rolin e liderit, ndërkohë që mbërritja në skuadër e Domantas Sabonis, padyshim që nga ndryshuar shumë gjëra. Tifozët ishin të irrituar me drejtuesit që vendosën të afronin lituanezin e të sakrifikonin një talent si Tyrese Haliburton, por Sabonis i ka dhënë padyshim diçka më tepër ekipit. Përpos lojtarëve të tjerë si Malik Monk apo debutuesi Keegan Murray, që po ashtu kanë bërë një sezon të shkëlqyer, merita të mëdha për rikthimin e Kings në ‘playoffs’ e merr trajneri Mike Broën. 53-vjeçari kishte paralajmëruar në fillim të këtij sezoni se do përpiqej të ndërtonte një skuadër pretendente. Shumë qeshën me ato deklarata të tij, por tashmë, të gjithë i tremben përballjes me Sacramento Kings.