Quin Snyder është një nga trajnerët më të vlerësuar në NBA për momentin. 55-vjeçari shihet si njeriu që ka ndryshuar fytyrën e skuadrës së Utah Jazz, ku për 2014-ës është i angazhuar si trajner. Por pavarësisht këtyre vlerësimeve, e ardhmja e tij duket të jetë e paqartë. Për të dytin sezon radhazi, tek Utah Jazz patën pritshmëri të mëdha sa i përket ecurisë në fazën ‘play-off’, me emra si Donovan Mitchell, Rudy Gobert e Mike Conley që supozohet të ishin liderët e ekipit. Por gjërat nuk shkuan asnjeherë ashtu siç drejtuesit dhe tifozët e Jazz kishin shpresuar dhe tani po merret në konsideratë edhe fillimi i një projekti të ri. Pjesë e largimeve mund të jetë edhe vetë trajneri Quin Snyder.
Siç raportojnë mediat amerikane, pronari i klubit, Ryan Smidh dhe drejtori i përgjithshëm, Danny Ainge, po e mendojnë seriozisht zëvendësimin e Snyder. Ata mendojnë se duke bërë një lëvizje të tillë, do të kenë mundësi të afrojnë një emër tjetër në krye të stolit, me shpresën për të ndryshuar frymën aspak të mirë që ka kapluar dhomat e zhveshjes së Utah Jazz. Snyder në fakt u përfol shumë se mund të merrte drejtimin e Los Angeles Lakers, por këta të fundit vendosën të firmosnin me Darvin Ham, një emër që nuk ka eksperiencën e Snyder dhe që kurrësesi nuk mund të konsiderohet në të njëjtin nivel. Snyder është një nga të paktët trajnerë që nuk kanë ndërruar skuadër në dekadat e fundit, duke u renditur pas Greg Popovich të San Antonio dhe Erik Spoelstra të Miami Heat. Pas 8 vitesh tek Utah Jazz, duket se e ardhmja e Quin Snyder është e paqartë.
Burime pranë drejtuesve të Utah nuk e përjashtojnë mundësinë që të ketë hapa prapa, për ta konfirmuar Snyder në krye të skuadrës, por kjo do të ndodhë nëse nuk do të gjenden alternativa të mira për të. Nëse largimi do të konfirmohej, një nga trajnerët më të mirë në NBA për momentin do të ishte i lirë, çfarë mund të trazonte jo pak gjëra në merkato.