NBA, Portland përmbys Memphis; Boston e Philadelphia vijojnë me fitoret

Sport

Damian Lillard po gëzon formën më të mirë të këtij sezoni. Lideri i Portland udhëhoqi skuadrën e tij drejt një përmbysjeje të rëndësishme, 122-112 ndaj Memphis Grizzlies. Lillard ishte më i miri në parket me 42 pikë, 8 ribaunde e 10 asiste. Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi që ai shënon të paktën 40 pikë dhe e pesta radhazi me 30 pikë ose më shumë. Paraqitja e tij eklipsoi atë të yllit të Memphis, Ja Morant, i cili ishte pranë realizimit të një ‘triple-double’-i me 32 pikë, 9 ribaunde e 12 asiste. Kjo ishte fitorja e katërt në pesë ndeshjet e fundit për Trail Blazers, që po përpiqen të fitojnë vendin e tyre në zonën ‘playoffs’. Minnesota Timberwolves triumfuan në kohën shtesë 119-114 ndaj Golden State Warriors, falë një D’Angelo Russell që bëri liderin për skuadrën e tij. Në fakt, tre lojtarë të Minnesota-s shënuan mbi 20 pikë, me Russell që u ndal në 29 pikë, Anthony Edwards në 27 dhe Naz Reid në 24. Tek Warriors, i vetmi që kaloi kuotën e 20 pikëve ishte Steph Curry, i cili kompletoi një ‘double-double’ edhe me 10 ribaunde.

Boston Celtics shkatërruan Brooklyn Nets në ‘TD Garden’ me rezultatin 139-96, në një takim që nuk pati histori. Finalistët e sezonit të shkuar siguruan një avantazh prej plot 30 pikësh që në periodën e parë, duke i bërë gjërat shumë të thjeshta për trajnerin Mazzulla. Jayson Tatum shënoi 31 pikë, ndërsa Jaylen Brown 26, teksa për Nets, shënuesi më i mirë ishte Irving me 20 pikë.

Janë rikthyer tek fitorja ata të Philadelphia 76ers, që morën revanshin ndaj Orlando Magic, duke i mposhtur 105-94. Joel Embiid dominoi me 28 pikë e 11 ribaunde, por ylli i ndeshjes këtë herë ishte James Harden, i cili mund të kishte kompletuar një ‘triple-double’, teksa shënoi 26 pikë, shërbeu 11 asiste dhe fitoi 9 duele për rikuperimin e topit nën tabelë. Kështu, Sixers ruajnë ritmin e Celtics, në përpjekjen për t’u rrëmbyer këtyre të fundit vendin e parë në renditje.

Në takimet e tjera, Utah Jazz triumfuan në limite ndaj Toronto Raptors, 131-128, ndërsa Sacramento Kings kaloi 119-109 San Antonio Spurs. Kanë rigjetur ndërkohë fitoren ata të Atlanta Hawks, që mposhtën me rezultatin e thellë 132-100, Phoenix Suns.