Jerami Grant do të jetë nga sezoni i ardhshëm i NBA një lojtar i Portland Trail Blazers. Ai që cilësohej si lojtari më i mirë i Detroit Pistons, ka bërë një lëvizje të rëndësishme drejt skuadrës nga Oregoni, ku do të bashkojë forcat me një emër me peshë si Damian Lillard. Blazers kanë sakrifikuar disa zgjedhje ‘Draft’-i në të ardhmen për të bërë realitet afrimin e Jerami Grant. Detroit Pistons përfitojnë një zgjedhje të garantuar në raundin e parë të ‘Draft’-it në vitin 2025, si dhe zgjedhjen e 36 të Portland për këtë vit, një zgjedhje të raundit të dytë në 2025-ën dhe një tjetër në 2026-ën. Kështu, Pistons i qëndrojnë linjës së projektit të tyre për të krijuar një skuadër të re, të mbështetur tek talentet që do të vijnë nga kolegjet, duke shpresuar që rezulatet e para të kësaj pune t’i marrin që nga viti 2026.
Në anën tjetër, Portland Trail Blazers bëjnë një afrim të rëndësishëm në skuadër, që vlen edhe për të hequr dyshimet e yllit të ekipit, Damian Lillard, se klubi nga Oregoni kërkon të luftojë për objektiva të mëdhenj. Gjatë sezonit që lamë pas, Lillard mungoi për një kohë të konsiderueshme për arsye të një dëmtimi, duke mos e çuar dot skuadrën tek faza ‘playoffs’. Nga nëntori i ardhshëm, ai do të ndajë parketin edhe me Jerami Grant, që mund të jetë një gjetje sa i përket përforcimit të skuadrës. Me fanellën e Pistons, përgjatë dy sezoneve, Grant regjistron një mesatare prej 21 pikësh për ndeshje, 3 asistesh dhe 5 ribaunde, duke patur edhe 43% saktësi në gjuajtjet e tij. Grant ka qenë ndër ata që ka dalluar tek skuadra e Pistons, por me ardhjen e Cade Cunningham verën e kaluar, drejtuesit e Detroit kërkojnë t’ja besojnë atij udhëheqjen e skuadrës në fushë. Në moshën 27-vjeçare, Grant ka shansin të luajë përkrahë një ‘All-Star’ si Lillard, me shpresën për të mbërritur tek faza ‘playoffs’.