NBA, Pistons vijojnë serinë e fitoreve; Lakers dhe Bucks vuajnë për suksesin

Sport

Detroit Pistons po rezulton të jetë surpriza e bukur e javëve të para në sezonin e ri të NBA. Skuadra e trajnerit Bickerstaff ka vijuar me serinë e fitoreve, teksa siguruan suksesin e 7 radhazi, ndonëse vuajtën jo pak ndaj Washington Wizards, 137-135. Për të gjetur fituesin e përballjes, u desh të luhej në kohën shtesë, ku lideri i Pistons, Cade Cunningham mori gjërat në kontroll. 24-vjeçari kompletoi një ndeshje të jashtëzakonshme, që e mbylli me një ‘triple-double’, 46 pikë, 12 ribaunde dhe 11 asiste. Cunningham lëshoi plot 45 gjuajtje gjatë ndeshjes, ndërkohë që tek Wizards, i vetmi që iu afua ishte CJ McCollum, me 42 pikë e 6 asiste.

U është dashur të vuajnë pak për triumfin atyre të Los Angeles Lakers, që kaluan 121-111 një kundërshtar të lehtë në letër si Charlotte Hornets. Luka Doncic ishte ai që udhëhoqi sërish kalifornianët, me 38 pikë, 6 ribaunde dhe 7 asiste, ndërkohë që në mungesë të LaMelo Ball, tek Hornets ishte Miles Bridges që u përpoq të reagonte, duke e mbyllur ndeshjen me 34 pikë.

Milwaukee Bucks triumfuan vetëm në çastet e fundit ndaj Dallas Mavericks 116-114, në një ndeshje që mund të kishte shkuar në të gjitha mënyrat. Giannis Antetokounmpo realizoi 30 pikë, 8 ribaunde e 6 asiste, ndërkohë që shkëlqeu edhe Kyle Kuzma, i cili edhe pse i ardhur nga stoli, shënoi 26 pikë. Po aq shënoi edhe Cooper Flagg në anën tjetër për skuadrën e Mavericks, që vijon të vuajë një formë aspak të mirë.

Në takimet e tjera, Miami Heat mposhti pas kohës shtesë 140-138 Cleveland Cavaliers, ndërkohë San Antonio Spurs, kaluan me vështirësi 121-117 Chicago Bulls. Fitore të rëndësishme për Suns dhe Timberwolves, që mposhtën respektivisht 121-98 Pelicans dhe 120-113 Utah Jazz. Ndërsa Clippers vijojnë të jenë në krizë rezultatesh. Skuadra kaliforniane, edhe pse pa një James Harden të kompletonte një ‘triple-double’ me 35 pikë, u mposht 105-102 nga Atlanta Hawks.