Phoenix Suns do të kërkojnë me çdo kusht të mbërrijnë tek titulli kampion në NBA. Skuadra nga Arizona ka bërë një lëvizje shumë të rëndësishme në merkato, duke afruar një nga shënuesit më të mirë të ‘Konferencës së Lindjes’, Bradley Beal. 29-vjeçari është parë në sezonet e fundit si lojtari më i rëndësishëm i Washington Wizards, mirëpo drejtuesit e klubit kryeqytetas nuk ia dolën të ndërtonin një skuadër cilësore rreth liderit të tyre dhe tashmë kanë vendosur të ecin me tjetër projekt. Beal do të transferohet tek skuadra e Suns, ku do të bashkojë forcat me Devin Booker e Kevin Durant, çfarë padyshim rrit ndjeshëm shanset e tyre për të arritur tek finalet e mëdha në sezonin e ardhshëm të NBA. Suns nga ana tjetër duhet që të sakrifikojnë dy lojtarë, veteranin Chris Paul dhe Laundry Shamet. Po ashtu, Wizards do të përfitojnë edhe një numër të konsiderueshëm zgjedhjesh apo edhe shkëmbimesh në ‘Draft’, ndërkohë që siç mediat amerikane raportojnë, Chris Paul do të lejohet të largohet, me destinacion të mundshëm Los Angeles Clippers. Me mbërritjen e Beal, Suns do të kenë tashmë 3 lojtarë në organikën e tyre me një mesatare prej mbi 20 pikësh për ndeshje përgjatë gjithë sezonit. Duke përmendur edhe Deandre Ayton, skuadra e Suns do të ketë 4 lojtarë me kontratë maksimale në përbërjen e tyre, çfarë ndërlikon jo pak situatën e tavanit të pagave. Ekipi i Phoenix tashmë është i detyruar të paguajë një taksë luksi prej 179,5 milionë dollarësh, duke provuar se pronari i ri i klubit, Matt Ishbia, është i vendosur të sakrifikojë jo pak, që Suns të mbërrijnë tek titulli kampion në NBA. Bradley Beal ka qenë pjesë e Washington Wizards që në momentin ku ka bërë debutimin e tij në NBA. Ai ishte zgjedhja e tretë e raundit të parë në ‘Draft’-in e 2012-ës, ndërkohë që numëron edhe 3 prezenca në ‘NBA All-Star’.