NBA, Phoenix Suns, Devin Booker pranë rikthimit në parket

Sport

Prej më shumë se 5 javësh, Devin Booker nuk e ka patur mundësinë të ndihmojë skuadrën e Phoenix Suns në parket dhe kjo është pasqyruar edhe në rezultatet e marra nga skuadra nga Arizona. Suns humbën shumë shpejt pozitat e tyre në renditje, duke llogaritur 8 fitore e 11 humbje pa Booker, statistikë kjo që nuk është aspak e mirë për një skuadër që pretendon ta mbyllë mes 3 apo 4 vendeve të para. Megjithatë, ylli kryesor i Suns ka shtuar intensitetin e stërvitjeve të tij dhe mesa duket e ka lënë pas dëmtimin që pësoi në dhjetor. Mediat amerikanë raportojnë se 26-vjeçari do të jetë pjesë e skuadrës në udhëtimin drejt lindjes, ku do të luajnë 5 ndeshje ndaj ekipeve të kësaj ‘Konference’. Suns do të nisin këto transferta me ndeshjen kundër Boston Celtics e më pas me Detroit Pistons. Gjasat janë që Booker të mos zbresë në parket edhe në këto dy përballje, por mund të jetë gati për ndeshjen ndaj Brooklyn Nets në javën e ardhshme. Shënuesi më i mirë i skuadrës së Suns ka humbur plot 24 ndeshje të sezonit të rregullt në këtë sezon, pas dy dëmtimeve të njëpasnjëshme, që kanë shqetësuar jo pak drejtuesit dhe tifozët e skuadrës. Aktualisht, Booker regjistron një mesatare prej 27 pikësh për ndeshje, 4,6 ribaundesh dhe 5,6 asistesh, teksa konsiderohet si fytyra kryesore e projektit të ekipit nga Arizona. Phoenix iu gëzua pak ditë më parë rikthimit në parket të Chris Paul, që ka ndihmuar në përmirësimin e rezultateve të skuadrës, pasi për momentin, Suns mbajnë vendin e 9, që të çon në zonën ‘play-in’ dhe janë vetëm 1 fitore larg vendit të pestë, që aktualisht mbahet nga Dallas Mavericks.