Kevin Durant nuk do të jetë më pjesë e Phoenix Suns nga sezoni i ardhshëm i NBA. 36-vjeçari do të transferohet tek Houston Rockets, pas thuajse 2 vitesh në radhët e Suns. Drejtuesit e skuadrës nga Arizona kanë vendosur të mbyllin projektin që shihte ‘KD’ krah Devin Booker, me shpresën për të përsëritur rrugëtimin e vitit 2021, pas rezultateve katastrofike të marra në sezonin që sapo u mbyll. Suns dështuan të arrinin fazën ‘playoffs’, duke u renditur të 11-t në ‘Konferencën e Perëndimit’, çfarë ka mjaftuar që drejtuesit të bëjnë ndryshime të rëndësishme.
Kevin Durant do të jetë tashmë pjesë e Houston Rockets, ku shpresojnë se mbërrtija e veteranit mund t’i japë skuadrës së trajnerit Ime Udoka, atë se çfarë u mungoi në fazën ‘playoffs’ të këtij viti. Për të afruar në skuadër Durant, Houston Rockets hoqën dorë nga Jalen Green, Dillon Brooks, zgjedhja e 10 e ‘draft’-it të këtij viti dhe 5 zgjedhje të raundit të dytë. Edhe Rockets duket se kanë hequr dorë nga Jalen Green, i menduar si njeriu që do udhëhiqte projektin e klubit teksan për vite me radhë. Por 23-vjeçari duket se ka zhgënjyer drejtuesit me paraqitjet në fazën ‘playoffs’, duke bërë realitet edhe këtë shkëmbim të rëndësishëm mes Phoenix Suns dhe Houston Rockets. Kevin Durant e mbylli sezonin e tij me 62 ndeshje të zhvilluara, me një mesatare prej thuajse 27 pikësh, 6 ribaundesh dhe 4 asistesh. Ai debutoi në NBA në 2007-ën, asokohe me skuadrën e Seattle SuperSonics. Pas zhvendosjes së klubit, Durant u bë pjesë e Oklahoma City Thunder, ku shkëlqeu si një nga më të mirët në botë. Ai siguroi titullin kampion si pjesë e Golden State Warriors, ndërkohë që në sezonet e fundit ka qenë pjesë e Brooklyn Nets dhe Phoenix Suns. Teksa në shtator do të mbushë plot 37 vjeç, Durant do të jetë në vitin e fundit të kontratës së tij, nga ku do të përfitojë më shumë se 53 milionë dollarë.