NBA, Perëndim; Memphis ruan shpresat ndaj Lakers; Warriors ‘shuajnë dritën’ e Kings

Sport

Memphis Grizzlies ia kanë dalë mbanë të marrin një fitore me shumë peshë ndaj Los Angeles Lakers, duke mbajtur ende të hapur diskutimin në serinë e tyre. Të udhëhequr nga Desmond Bane dhe Ja Morant, Grizzlies triumfuan 116-99 në ndeshjen e pestë, që u luajt përpara tifozëve të tyre, në ‘FedEx Forum’. Këtë herë, skuadra e trajnerit Taylor Jenkins nuk vuri asgjë në diskutim, duke marrë që në fillim kontrollin e ndeshjes e duke shfaqur një përmirësim të dukshëm në fazën mbrojtëse. Bane ishte më i miri në parket me 33 pikë, 10 ribaunde e 5 asiste, ndërsa Morant e mbylli me 31 pikë, 10 ribaunde e 7 asiste. ‘Double-double’ edhe për Jaren Jackson me 18 pikë e 10 ribaunde, ndërkohë që për Lakers, më i miri ishte Anthony Davis, me 31 pikë e 19 ribaunde. Vetëm 15 pikë e 10 ribaunde për LeBron James, i cili pas ndeshjes u shfaq i zhgënjyer me veten në këtë paraqitje të tij, teksa duhet të përgatitet për të mbyllur serinë në ndeshjen e gjashtë, kur Lakers të luajnë në shtëpinë e tyre, në Los Angeles.

Për herë të parë në serinë mes Sacramento Kings dhe Golden State Warriors, skuadra mike arrin të fitojë në fushë kundërshtare, me kampionët në fuqi që ia dolën të triumfojnë 123-116 në ‘Golden 1 Center’. Kings e nisën mjaft mirë takimin, duke marrë një avantazh prej 3 pikësh. Ata të Warriors gjithësesi ia dolën të përmbysnin gjithçka brenda pjesës së parë, të udhëhequr nga një Steph Curry i frymëzuar për të bërë liderin. 35-vjeçari ishte shënuesi më i mirë i takimit, me 31 pikë, ndërsa kontribut të rëndësishëm dha edhe Klay Thompson, me 25 pikë, duke qenë i saktë në 5 gjuajtje nga përtej harkut. Tek Kings, De’Aaron Fox u ndal në 24 pikë, kurse Malik Monk dhe Domantas Sabonis shënuan nga 21 pikë secili, por që nuk mjaftuan për të ndezur edhe njëherë dritën mbi ‘Golden 1 Center’. Tani seria zhvendoset sërish në San Francisco, me Warriors që do të kenë mundësinë të sigurojnë kalimin më tej përpara tifozëve të tyre në ‘Chase Center’.